Skip to content

‘Koha që shqiptarët të kthehen në vendin e tyre’, Meta publikon pamjet e rralla, çfarë ndodhte 30 vite më parë në ambasadën gjermane

2 Korriku është një datë e shënuar në historinë e Shqipërisë si “dita e rrëzimit përfundimtar të murit të Berlinit”, që ndante bllokun lindor komunist nga ai perëndimor.

Më 2 korrik 1990, mijëra shqiptarë u futën masivisht në ambasadat perëndimore në Tiranë, ngjarje të cilat u shoqëruan dhe me përleshje mes kundërshtarëve të regjimit dhe pushtetit të diktaturës komuniste 45 vjeçare, të përfaqësuar në këtë përleshje, prej Sigurimit të Shtetit.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar dhe presidenti i vendit Ilir Meta, i cili shkruan se hapja e dyerve të ambasadës gjermane i dha goditjen e fundit diktaturës më të egër në Europë.

“Kjo foto është shkrepur 30 vjet më parë brenda Ambasadës gjermane në Tiranë, ku rreth 3200 shqiptarë nisën një jetë të re në liri. Hapja e dyerve të Ambasadës gjermane goditi në zemër diktaturën më të egër në Europë.

30 vite më pas, në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore duhet të përmbushim sa më parë të gjitha kushtet, që të nisim negociatat e anëtarësimit me BE gjatë Presidencës gjermane.

Presidenca gjermane e BE është një mundësi e shkëlqyer, dhe një sprovë e vërtetë për çdokënd që për Shqipërinë Europiane jo vetëm flet por edhe punon.

Mirënjohje të gjithë shqiptarëve që me guximin e tyre 30 vite më parë i dhanë Shqipërisë një drejtim të ri. Koha për të përmbushur ëndrrën e çdo qytetari: Shqipëria si gjithë Europa. Koha për kthimin e shqiptarëve në vendin e tyre”, shkruan Meta në postimin e tij.

Qershori i vitit 1990, u shoqërua me disa të plagosur, ndërkohë që jo zyrtarisht, u deklarua se pati edhe një numër të vrarësh që tentonin të kalonin kufirin. Këto tashmë janë konfirmuar si të vërteta, paçka se regjimi i vitit 1990-1991, tentoi t’i fshihte këto krime njerëzore, që e kishin emrin “demokraci” dhe “liri individi”.

/faxweb