Dy ditë para protestës së opozitës më 20 shkurt në Tiranë, Partia e Lirisë ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Tedi Blushi thotë se është koha që të marrim në dora fatin e vendit.

Sipas Blushit, zëri i qytetarëve shqiptarë duhet të dëgjohet, ndërsa 20 shkurtin ta shndërrojnë në ditën kur ky regjim të shembet nga themelet.

“Le ta bëjmë 20 shkurtin e dytë, ditën e shembjes nga themeli të këtij narkoregjimi! Ditën e dinjitetit tonë, të guximit tonë, të trimërisë dhe idealeve tona, ditën e demokracisë dhe rikthimit të shpresës për Shqipërinë dhe shqiptarët.

20 shkurti është dita e betejës pa kthim! Është dita e vendimit të madh mbarëpopullor! “O Sot, o Kurrë” të bashkohemi për t’i dhënë atë që meriton Edi Ramës, që ka shpopulluar Shqipërinë dhe me korrupsionin ndërkombëtar po përpiqet të agjesojë demokracinë dhe pluralizmin!

20 shkurti po vjen dhe të gjithë shqiptarët e lirë dhe të ndershëm do ta thonë më fort se kurrë fjalën e tyre”, tha nder te tjera Blushi.

Deklarata e plote: 

Të dashur qytetare dhe qytetarë,

Të dashur të rinj dhe të reja në mbarë vendin, që regjimi ju ka vrarë shpresat, ju ka djegur ëndrrat dhe të ardhmen, duke ju detyruar të rrezikoni edhe jetën për t’u larguar nga Shqipëria;

Të dashur pensionistë të harruar dhe të braktisur në vuajtje dhe mjerim, që keni kontribuar aq shumë për zhvillimin e vendit, por që sot nuk keni mundësi të blini ilaçet dhe të paguani faturat e dritave dhe të ujit, sepse 60% të pensionit e harxhoni vetëm për ushqime;

Të gjithë ju të përvuajtur nga regjimi më i korruptuar dhe më i inkriminuar në rajon dhe kontinent, që vuani sot më shumë se kurrë padrejtësitë;

Të gjitha ju biznesmenë që po falimentoni dhe mezi po mbijetoni për shkak të taksave të larta;

Të gjithë ju pronarë të ligjshëm që Edi Rama po ju shemb shtëpitë dhe po ju rrëmben tokat për t’ua dhënë oligarkëve klientë të tij;

Të gjithë ju bujq dhe fermerë, që “Ballkani i Hapur” ju kalbi produktet dhe ju shfarosi blegtorinë;

Të gjithë ju të papunë dhe invalidë që pushteti ju ka hequr ndihmën ekonomike dhe bonusin e qerasë;

Të dashur qëndrestarë dhe mbrojtës të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, ju simbole të guximit, kurajës, të shpresës dhe së ardhmes së Shqipërisë, që me revoltën tuaj frymëzoni shpresë në çdo kohë:

20 shkurti është dita që zëri juaj të dëgjohet më fort së asnjëherë më parë!

Kjo datë simbol i rrëzimit të tiranëve dhe tiranisë, i triumfit të demokracisë dhe shkundjes nga themelet të monizmit, është më shumë se kurrë dita simbol e dinjitetit tonë dhe e përballjes me të keqen, që e ka vjedhur dhe e ka shkatërruar Shqipërinë, si asnjë pushtues!

Është dita t’i dalim zot vetes, fateve dhe Atdheut!

Është dita e fuqisë së solidaritetit mbarëqytetar dhe përballjes me të keqen e personifikuar nga Edi Rama dhe Qeveria e tij e krimit dhe e korrupsionit!

Shqipëria është sot një narkoshtet, ku:

– Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë rrëmbyer nga mafia në pushtet;

–  Ku sistemi i kontrollit dhe balancave nuk ekziston për shkak të kapjes së shtetit;

-Ku llogaridhënia është asgjësuar;

– Kuvendi siç e shikoni është rrëmbyer nga Qeveria dhe veprimtaria politike e përfaqësuesve të zgjedhur të opozitës në Kuvend dhe pushtet vendor është kufizuar me ligje të posaçme dhe përjashtime;

– Ku Opozita “emërohet” me vendime gjykatash dhe drejtuesit e saj realë arrestohen, izolohen, kërcënohen dhe shantazhohen;

– Ku drejtësia është kapur në mënyrë mafioze dhe funksionon me regji duke bërë goditje selektive sipas interesit politik të ditës së Kryeministrit dhe në shërbim të agjendave elektorale të tij.

Ndaj le ta bëjmë 20 shkurtin e dytë, ditën e shembjes nga themeli të këtij narkoregjimi!

Ditën e dinjitetit tonë, të guximit tonë, të trimërisë dhe idealeve tona, ditën e demokracisë dhe rikthimit të shpresës për Shqipërinë dhe shqiptarët.

20 shkurti është dita e betejës pa kthim! Është dita e vendimit të madh mbarëpopullor!

“O Sot, o Kurrë” të bashkohemi për t’i dhënë atë që meriton Edi Ramës, që ka shpopulluar Shqipërinë dhe me korrupsionin ndërkombëtar po përpiqet të agjesojë demokracinë dhe pluralizmin!

20 shkurti po vjen dhe të gjithë shqiptarët e lirë dhe të ndershëm do ta thonë më fort se kurrë fjalën e tyre!

Partia e Lirisë ju fton të gjithëve të bashkohemi në 20 shkurt, në ora 17:30, në bulevardin para Kryeministrisë, në protestën kombëtare, për të marrë në dorë fatet tona dhe të së ardhmes së Shqipërisë!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re