Një ditë më parë, kryeministri Rama shpalli publikisht çuarjen në gjyq të ish-paraardhësit të tij Berisha, pas një statusi të këtij të fundit ku pretendonte se shefi i qeverisë blinte këmisha me çmim 25 mijë euro në Nju Jork. Rama e ndërmerr këtë inisiativë në kuadër të një fushate anti-shpifje, për të cilën ka paralajmëruar dhe një ligj të veçantë. E ndërkohë, çdo ditë pothuajse ngrihet nga një padi për shpifje në adresë të akuzave të opozitës.

Kjo është hera e parë që nominalisht Rama çon Berishën në gjyq. Edhe pse ka qenë shënjestër akuzash që kur ia behu në politikë, prej vitit 2000 kur morri drejtimin e Bashkisë së Tiranës, Rama ka zgjedhur ose ta injorojë ose t’i kundërpërgjigjet me stilin e tij përtallës. Por në vitin 2009, është e ëma e Ramës, Aneta, e cila çoi në gjyq Berishën me akuzën e shpifjes. Shkak ishte një fjalim i rëndë i kryeministrit të atëhershëm në Kuvend, ku ju drejtua në distancë Aneta Ramës që të tregonte se si e kish trajtuar të birin me kura dhe ilaçe, siç pretendonte Berisha, për probleme psikologjike.

Por kërkesa e të ëmës së Ramës nuk merret parasysh dhe ish-kryeministri demokrat i shpëton gjykimit për shpifje. Dhe kjo ndodhte me personazh kryesor Ariana Fullanin, që sipas rrëfimit të Ramës në Kurban-in e tij, ishte dhe mike me Anetën.

Ja si e përshkruan Rama:

“Si mund të ndodhte në një vend të Europës së Bashkuar që pas derdhjes së tërë mynxyrave të kryeministrit gjuhëhustër mbi të ëmën e kryetarit të opozitës, gruaja e moshuar e dhunuar verbalisht nga kryetari të qeverisë të dhunohej moralisht dhe në gjykatë, me motivacionin që kur zgjidhi gojën nga zinxhirët e etikës, kryeministri ishte në krye të detyrës, prandaj padia për shpifje për shkak të detyrës nuk qëndron.

Askund, në asnjë rast, për asnjë arsye politike në botë, njerëzillëku nuk ia le vendin kafshërisë në jetën publike e politike të cilitdo vendi ku votohet lirisht e ku njerëzit kundërvendosen në frontet e alternativave e jo në barrigadat e gërdisë gojore, ashtu sikundër nuk mund të imagjinohet në botën e lirë një kryegjyqtare e lartë si Ariana Fullani, që përballë një gruaje pensioniste si nëna ime, e cila detyrohet të marrë rrugën e gjyqit për të mbrojtur jo djalin por dinjitetin e saj të cenuar publikisht, të nxjerrë të pafajshëm dhunuesin kryeministër e të kthejë mbrapsht në shtëpi qytetaren që s’kërkonte asgjë përveçse t’i tregonte opinionit publik se nuk kishte asnjë të vërtetë në akuzat lehëse të kryeministrit ndaj daj dhe se ajo s’kishte asgjë për të rrëfyer publikisht nga ‘të vërtetat’ e kllamosura prej Saliut në foltoren e turpit të asaj nate kuvendore.

S’do ta kisha përmendur emrin e Arianës, nëse s’do të ishte në mes miqësia e saj me nënën time, miqësia jonë e vjetër me familjen Fullani, fakti që e bëri edhe me tronditës për timë ëmë dhunimin në sallën e gjyqit, ku zonja Fullani, për arsyet që ajo i di, po që s’është e vështirë të merren me mend në këtë vend, zgjodhi të bënte një padrejtësi të madhe duke fyer ligjin dhe moralin kushtetues të barazisë para ligjit në gjykimin e një çështjeje që kishte vënë përballë arrogancën e xhindosur të pushtetit me brishtësinë e një gruaje 71-vjeçare që kërkonte me krenari mbrapsht vetëm dinjitetin e rrëmbyer nga ekrani faqe gjithë shqiptarëve”.

 Ndërkohë, para Aneta Ramës, Berisha është akuzuar për shpifje nga Ben Blushi, kur ky i fundit ishtë zv/ministër i Pushtetit Lokal në qeverinë Nano. Bëhet fjalë për një proces të vitit 2004, fituar nga Blushi, e pasuar nga ndjesa e Berishës.

Ndërsa muaj më parë, do ishte gazetari botuesi i njohur Karlo Bolino i cili do fitonte një gjyq për shpifje me Berishën.

Tashmë pritet me interes se si do jetë vijueshmëria e gjyqit ku Rama do çojë për herë të parë Berishën, me akuzën e shpifjes.         

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re