Kryedemokrati Lulzim Basha ka dalë me një apel të fortë për qeverinë, pasi vizitoi banorët e përmbytur në Shkodër, Lezhë dhe Fushë Krujë.

Ai thotë se këto që po kalojmë janë kohë të vështira për Shqipërinë, ndërsa i kujton qeverisë se duhet t’u vihet në ndihmë qytetarëve, me ushqime, ujë të pijshëm e medikamente pasi shumë prej tyre kanë dhe probleme shëndetësore.

STATUSI I PLOTE

Isha sot pranë banorëve të zonave të përmbytura në Shkodër, Lezhë dhe Fushë Krujë të cilët prej ditësh përballen me vështirësi për shkak të rreshjeve të mëdha.

Këto janë kohë të vështira për Shqipërinë, që po përballet si me dëmet nga moti, kriza ekonomike ashtu edhe nga pandemia. Qytetarët sot e kanë edhe më të pamundur për t’a përballuar këtë situatë të rënduar. Kriza ekonomike ua ka bërë të pamundur krijimin e rezervave ushqimore apo të kursimeve monetare.

Fshatra të tërë janë të izoluar prej ditësh pa asnjë komunikim me qendrat administrative, spitalet dhe tregjet. Ndërsa ndihma nga qeveria ka munguar.

Sot nuk është koha për politikë, por është koha t’u vihet në ndihmë qytetarëve, me ushqime, ujë të pijshëm e medikamente pasi shumë prej tyre kanë dhe probleme shëndetësore.

Duhet menaxhim i situatës dhe jo propagandë boshe, ndërsa shqiptarët vuajnë çdo ditë e më shumë.

Për fat të keq, qeverisë nuk i bëhet vonë për qytetarët. Në ditën më të keqe është shtruar në darka në restorantët më luksozë në Dubai.

Partia Demokratike dhe unë do të bëjmë çdo gjë që mundemi për të dhënë ndihmën tonë. Ne do të përballemi me këtë situatë bashkë dhe do të dalim prej saj bashkë. Pas 25 prillit, të gjithë bashkë do të ndërtojmë një qeveri që kujdeset për qytetarët dhe jo per vete. Do të sjellim shpresë për të gjithë dhe ndryshimin që presin të gjithë shqiptarët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re