Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka bërë akuza të forta gjatë një interviste në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me gazetaren Ola Bruko, duke folur për arrestimin e Ergys Agasit dhe emërimin e Ilir Prodës në krye të Policisë së Shtetit.
Noka pretendoi se pas emërimit të Ilir Prodës qëndron Suel Çela, ndërsa sipas tij, Ergys Agasi kishte rol në këtë proces. Duke iu referuar ditës së arrestimit të Agasit, ish-ministri tha se ai ndodhej në ambientet e një prone të Suel Çelës, së bashku me Ilir Prodën dhe persona të tjerë. “Ditën që u arrestua Agasi ka qenë në sarajet e Çelës. Ilir Proda, Shpataraku dhe Çela. Policia priti deri sa dolën Shpataraku dhe Agasi dhe më pas Suel Çela dhe Proda kanë qenë në makinë tjetër, kanë qenë në drejtime të ndryshme”, u shpreh Noka.
Më tej, ai hodhi akuza edhe për mënyrën se si është zhvilluar operacioni, duke pretenduar se urdhri për arrestim ishte dhënë vetëm për Ergys Agasin. Ish-ministri kërkoi gjithashtu që të merren masa ndaj Ilir Prodës, duke e akuzuar atë se ka vepruar në interes të personave të caktuar dhe jo të ligjit. “Pres masa ndaj Prodës, ai është mercenar i Gysit dhe i Çelës. S’ka qenë mercenar i ligjit, por i bandës së Gysit dhe Suelit”, tha Noka.
Në vijim, Noka foli edhe për kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se ai është nën presion nga grupe kriminale dhe aktorë të tjerë me ndikim. “Edi Rama sot është peng dy herë. Nga njëra anë i karteleve dhe krimit të organizuar dhe nga ana tjetër është peng i mafiozëve të grupeve si Roni Yeffet”, u shpreh ai.
Në pjesën tjetër të deklaratës, Noka lidhi arrestimin e Ergys Agasit me rivalitete brenda qeverisë, duke pretenduar se pas tij qëndronte ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku. “Suel Çela ka kërkuar Ilir Prodën kryepolic dhe është futur Ergys Agasi për këtë gjë. Edhe ka rezultuar e vërtetë. Ditën që u arrestua Agasi ka qenë në sarajet e Çelës, ilir Proga, Shpataraku dhe Çela. Policia priti deri sa dolën Shpataraku dhe Agasi dhe më pas Suel Çela dhe Proda kanë qenë në makinë tjetër, kanë qenë në drejtime të ndryshme. Belinda kishte dhënë urdhër vetëm për kokën e Gysit, s’kishe dhënë urdhër për kokën e Çelës dhe Prodës. Më gjeni dot një shtet të tillë?! Ky shtet është narko-shtet. Këtu qeverisin bandat. Pres masë ndaj Prodës, ai është mercenar i Gysit dhe i Çelës. Ska qenë mercenar i ligjit, por i bandës së Gysit dhe Suelit. Edi Rama sot është peng dy herë. Nga njëra anë i karteleve dhe krimit të organizuar dhe nga ana tjetër është peng i mafiozeve të grupeve si Roni Yeffet. Kokën e Agasit e kërkoi Balluku, për shkak të rivalitetit brenda Ramës. Janë rivalitete për influenca dhe ndikime dhe vendimmarrje të kryeministri.”, tha ai.
