Mbyllet edicioni i 6-të i festivalit të komedisë ‘KoKo Fest’ në qytetin e Korçës pas një jave shfaqjesh në skenën e teatrit ‘Andon Zako Çajupi’.

Organizatorët e kanë vlerësuar si një edicion me emocione të veçanta dhe performanca mjeshtërore nga trupat teatrore nga Shqipëria dhe trevat shqipfolëse. Maratona artistike që për 7 mbrëmje radhazi dhuroi humor dhe interpretime të shkëlqyera u mbyll me ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Komedia ‘Karnavalet e Korçës’ interpretuar nga teatri i Prishtinës u vlerësua nga juria me çmimin shfaqja më e mirë dhe meritoi kupën e festivalit për këtë edicion. Aktori i njohur Ndriçim Xhepa e shpalli fituesin në emër të jurisë të festivalit.

Altin Basha u vlerësua për regjinëmë të mirë. Ai e cilësoi si mjaft të respektuar skenën e teatrit të Korçës dhe tha se KoKo Fest që e çon më tej traditën mund të marë përmasat e një festivali ndërkombëtar të komedisë.

 

Çmimi i aktorit më të mirë ju dha aktorit që po sfidon një shekull jetë, atij që simbolizohet me rolin e jetës, Kopracin. Koço Qëndro u vlerësua për interpretimin e tij të famshëm në rolin e Harpagonit. Artisti falenderoi kolegët që nuk jetojnë më por i kanë dhënë emër të madh teatrit korçar dhe kinematografisë shqiptare. Tre artistë të shquar korçarë si Dhimitër Orgocka, Ligoraq Riza dhe Ruzhdi Pulaha u nderuan me çmimin e karrierës.

Për një javë, në skenën e teatrit të Korçës u dhanë 7 shfaqje me pjesmarje nga disa trupa vendase dhe trojet shqipfolëse. Teatri ‘ Skampa’ i Elbasanit, ai ‘Migjeni’ i Shkodrës, e pa dyshim trupa e teatrit të Korçës ishin të pranishme në këtë edicion. Falë mbështetjes nga sponsorë të ndryshëm dhe bashkia e qytetit fituesit e këtij edicioni përfituan edhe shpërblime materiale.

 

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re