Vazhdon “lufta e ftohtë” mes FSHF-së dhe KOKSH-it, për sa u përket ndryshimeve statutore që kanë lidhje që me Asamblenë Zgjedhore të disa viteve më parë.FSHF fitoi betejën në KAS të Lozanës, i cili e vlerësoi të paligjshme atë Asamble, nga e cila doli bordi i ri drejtues i KOKSH-it. Por kjo nuk e ka ndalur Komitetin Olimpik të vazhdojë qetësisht punën, duke injoruar plotësisht FSHF-në.
Si pasojë, kjo e fundit e ka bërë të ditur publikisht vendimin e saj për të bojkotuar Asamblenë e radhës të KOKSH-it që zhvillohet më 25 prill 2025, ndonëse siç ndodh rëndom në mbledhje të tilla të organizatave drejtuese të sportit shqiptar, nuk do të pengojë zhvillimin sipas planit të saj.
BOJKOTI FSHF ka njoftuar dje se nuk do të marrë pjesë në Asamblenë që KOKSH-i do të zhvillojë, sepse sipas qeverisë së futbollit, i është refuzuar e drejta themelore e anëtarit për të propozuar çështje në rendin e ditës. FSHF, me anë të një shkrese zyrtare, kërkonte që në Asamble të trajtohej beteja e fituar në KAS dhe vendimi i formës së prerë nga këta të fundit, vendim i cili ka shpallur të pavlefshme vendimmarrjet e mëparshme të KOKSH-it.
FSHF, në komunikatën e saj, akuzon drejtuesit e KOKSH-it që nuk kanë asnjë interes të zbatojnë ligjin dhe vendimet e gjykatave dhe mbajnë në një frymë shtrëngimi anëtarët që mbahen me paratë publike, që administron KOKSH-i dhe nuk i lejojnë të ushtrojnë liritë e tyre të organizimit. Kështu që, gjithçka po kryhet është e kundërligjshme, por për drejtuesit rëndësi ka vetëm qëndrimi në detyrë.
ÇUDIA E APELIT
Një çudi e madhe ishte edhe një komunikatë e KOKSH-it pak kohë më parë, ku njoftonte përfundimin e gjyqit me FSHF-në, ku Gjykata e Apelit në Tiranë me vendim të formës së prerë, ka rrëzuar kërkesën e FSHF-së për ç’regjistrimin e vendimeve, duke mos zbatuar vendimin e KAS-it të Lozanës, i cili ka dhënë vendim në favor të futbollit.
Për më tepër që palët kanë shkuar me dakordësi në arbitrazh. Një kaos juridik, i cili vijon edhe sot, ndërsa më 23 prill të këtij viti, KOKSH-i do të zhvillojë Asamblenë e Përgjithshme, edhe pse ka një vendim të formës së prerë nga një gjykatC– arbitrazhi në Zvicër që çdo vendim pas vitit 2021 është i pavlefshëm nga Komiteti Olimpik dhe presidenti është zgjedhur me procedurë të parregullt.
KONFLIKTI
Me ngritjen e hershme të KAS-it shqiptar, nismë kjo e KOKSH-it, nisi edhe përplasja me Federatën Shqiptare të Futbollit. FSHF-ja, nga njëra anë ka kontestuar zgjedhjen e Fidel Yllit në krye të KOKSHit dhe rrjedhimisht ka bojkotuar vazhdimisht asambletë, si dhe ngritjen e KAS-it shqiptar, që është edhe kleçka e kësaj përplasjeje.
Një situatë që e zhvendosi betejën në dyert e gjykatave ndërkombëtare. Të dyja institucionet ranë dakord me marrëveshje për të shkuar në arbitrazh dhe pas vendimit të KAS-it në Lozanë, që ishte në favor të FSHF-së, KOKSH-i njoftoi se Apeli në Tiranë ka rrëzuar kërkesën e FSHF-së. Me çështjen e ngritur dje nga FSHF-ja, palët janë ende në një konflikt, edhe pse kanë kaluar 4 vite.
KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL