Autoritetet shëndetësore në vendet evropiane janë në gatishmëri të shtuar për shkak të  “koktejit” të viruseve,  teksa rastet e Covid-19, të gripit dhe infeksioneve të tjera virale respiratore janë në rritje.

Urgjencat dhe pavijonet në spitalet italiane janë nën presion për shkak të shtimit të rasteve me grip. Sipas të dhënave të organeve kompetente, ka një rënie të numrit të rasteve me koronavirus. Megjithatë, diagnozat e gripit me komplikime të sistemit të frymëmarrjes dhe rastet me pneumoni vazhdojnë të rriten. Po ashtu, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar pasi viruset po përhapen në masë dhe jo vetëm tek pacientët e moshuar.

Javën e fundit rastet me Covid-19 ranë me 16%, por sipas shumë profesorëve të virologjisë, kjo rënie mund të jetë për shkak të numrit më të ulët të analizave të kryera gjatë pushimeve. Kjo do të thotë se mund të shënohet një rritje e re në ditët në vijim.

Sa i përket urgjencës spitalore, shumica dërrmuese e pacientëve me simptoma dhe komplikime të ngjashme me gripin janë qytetarë të moshuar. Nga Milano në Romë dhe Napoli, pritja për të kryer një vizitë te mjeku konsiston në disa orë deri në marrjen e shërbimit.Matteo Bassetti, shefi i sëmundjeve infektive në Spitalin San Martino në Xhenova, theksoi se ky është gripi sezonal më i keq i 20 viteve të fundit, për sa i përket shkallës së transmetimit.

Sipas shifrave të fundit, më shumë se një milion italianë janë infektuar me grip, ndonëse kulmi i rasteve, i cili pritet ndoshta brenda javës së ardhshme, ende nuk është regjistruar.

Situata në Spanjë

Pesë rajone spanjolle kanë njoftuar rivendosjen e masës që e bën të detyrueshëm përdorimin e maskave në institucionet shëndetësore, pas një rritjeje të ndjeshme të rasteve me COVID-19 dhe gripit gjatë periudhës festive.

Rajoni i Valencias pa që shkalla e infeksioneve të frymëmarrjes të rritet në 1,501 raste për 100,000 banorë midis 26 dhjetorit dhe 1 janarit, barra e dytë më e lartë në vend për atë javë, pas Castilla La Mancha.

Krerët e autoriteteve shëndetësore në Valencia rekomanduan që qytetarët që shfaqin simptoma, si dhe stafi shëndetësor, apo të afërmit dhe miqtë në dhomat e pritjes, të mbajnë maska ​​​​për të evituar infektimin.

Ata gjithashtu lanë të hapur mundësinë që ky rregull të shtrihet edhe në zona të tjera ku janë të përqendruara grupet vulnerabël.

Po ashtu është këshilluar që qytetarët në përgjithësi të mbajnë maska ​​në vende publike, veçanërisht në ato të mbyllura.

Spanja ishte ndër vendet e fundit evropiane që hoqi masat e mbajtjes së maskave pas pandemisë COVID-19, me qytetarët që u kërkohej t’i mbanin ato në transportin publik deri në shkurt të vitit të kaluar dhe në qendrat shëndetësore dhe farmacitë deri në korrik.

Javën e fundit të dhjetorit, në qendrat shëndetësore parësore të vendit u regjistruan 953 raste për 100 mijë banorë me sëmundje akute të frymëmarrjes, krahasuar me 922 një javë më parë, ndërkohë që ritmet e shtrimeve shënuan rritje të dukshme krahasuar me një vit më parë.

Ministria e Shëndetësisë e vendit ka thirrur autoritetet rajonale shëndetësore në një takim dhe, sipas mediave spanjolle, do të propozojë vendosjen e masave të detyrueshme në të gjithë vendin javën e ardhshme.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re