Nga: Klodiana LALA

Pas një seance maratonë e plot tension, me 22 korrik 2016, me 140 vota pro dhe asnjë kundër, në Kuvendin e Shqipërisë, u votuan ndryshimet kushtetuese, duke i hapur rrugën reformimit të sistemit të drejtësisë, që perceptohet si tejet e korruptuar.“Operacioni” i thellë për pastrimin e gjyqësorit nga të korruptuarit, shihej si një domosdoshmëri, e sigurisht u mirëprit nga qytetarët, të cilët vuajnë më së shumti pasojat e një sistemi me mangësi të theksuara, që i bie çekiçit për të liruar ato që konsiderohen “baronet” e drogës dhe “peshqit “ e mëdhenj të korrupsionit, e tregohet i ashpër me të pamundurit.Në vazhdim, mendohej se gjithçka do të ecte mbarë dhe reforma do të jepte frytet e para. Në fakt, nuk shkoi aspak sipas parashikimeve.Kanë kaluar 48 muaj nga rënia e gongut, që u duartrokit edhe nga ndërkombëtarët, por sërish drejtësia vijon të jetë e bllokuar. Reforma në drejtësi, shpesh është shndërruar një fushë ku zhvillohen debate të ashpra politike, ku palët akuzojnë njëra-tjetrën, si “bllokues” të saj.Së fundmi, pas shkarkimit nga organet e vettingut, të Fatos Lulos, Altina Xhoxhajt dhe Fatmir Hoxhës dhe më herët doreheqjes së Besnik Imerajt, vendi ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese.Gjykata e Lartë funksionon me shumë vështirësi, me 9 anëtarë nga 19 që duhet të ketë.Situata paraqitet edhe më e rëndë, në disa gjykata të rretheve gjyqësore, si ajo e Krujës, Kavajës, Lushnjes, apo dhe në gjykatat e Apeleve. Këto institucione kanë hyrë në kolaps, pasi janë në pamundësi për të marrë vendime, për shkak të mosformimit të trupave gjykuese. Konkretisht gjykata e Krujës funksionon me vetëm dy anëtarë.Prej kohësh në këto gjykata, marrin vendime, gjykatës të deleguar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.Pavarësisht gjendjes së krijuar, askush nuk jep përgjigje se kur do të ngrihen organet e reja të drejtësisë, si e vetmja rrugë për ta zgjidhur ngërçin.Megjithatë një vendim i fundit i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pritet të normalizoje deri diku situatën në sistem.Në mbledhjen e datës 7 maj 2018, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi riktheu në sistem ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë Shpresa Becaj, dhe gjykatësen e Elbasanit, Pajtime Fetahu, mori vendim të shpallë thirrjen publike për gjykatësit që kanë interes të trasferohen në gjykatat e bllokuara.Referuar ligjeve të reja të Reformës në Drejtësi, atributin për të emëruar, trasferuar apo proceduar gjykatësit e ka vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor, institucion që ende nuk është ngritur, pasi kandidatët nga radhët e gjykatësve, vijojnë të përballen me provën e Vettingut. Deri më tani, gjykatësi i Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva, se ka kaluar këtë test, ndërsa pritet vendimi për Manjola Xhaxhos, e cila ka gjasë të rezultojë fituese në këtë provim.Nga votimi në Parlament i ndryshimeve Kushtetuese, ishte parashikuar që brenda periudhës prej tetë muajsh të konstituoheshin institucionet e reja të drejtësisë.Ne paketën e re ligjore, nuk parashikohej mënyra sesi do të funksiononin institucionet ekzistuese gjatë periudhës tranzitore.Në këtë situatë, KLD e shihte veten me kompetenca të kufizuara. E për një kohë të gjatë nuk mundi të merrte vendime për trasferimin e gjykatësve.Te vetmet momente që anëtarët e “qeverisë” së gjyqësorit që kishin mundur të ngrinin dorën për të votuar, ishin delegimet e gjykatësve, apo kërkesat për procedimin e tyre.Në ndihmë të KLD-së, erdhi vendimi nr.34 datë 10.04.2017 i Gjykatës Kushtetuese. E vënë në lëvizje nga Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve, të cilat sëbashku ankimonin si antikushtetuese disa nene të ligjit “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Kushtetuesja bëri një interpretim pajtues të dispozitave të ligjit, duke siguruar në këtë mënyrë vazhdimësinë e institucioneve ekzistuese, deri në ngritjen e organeve të reja të drejtësisë.Në paragrafin 30 të vendimit thuhet se: “Duke i vlerësuar rregullimet ligjore të neneve 160/1 e 173/1 të ligjit në kontekstin e detyrimeve që imponon parimi i shtetit të së drejtës për respektimin e hierarkisë së akteve normative, Gjykata konstaton paraprakisht se neni 179 i Kushtetutës nuk përmban rregullim apo delegim të shprehur për ligjvënësin lidhur me përcaktimin e kompetencave që do të ushtrojë KLD-ja në periudhën kalimtare deri në krijimin e KLGJ-së. Megjithatë, Gjykata vlerëson se ky konstatim nuk mund të konsiderohet se përbën ometim kushtetues, pasi formulimi i pikës 5 të nenit 179 të Kushtetutës se “anëtarët e KLD-së e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të KLGJ-së, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të KLGJ-së, sipas ligjit” shpreh dhe synon të sigurojë vlerën kushtetuese të vazhdimësisë dhe koherencës institucionale, për rrjedhojë, funksionimin normal të KLD-së në periudhën kalimtare. Për sa kohë vullneti i kushtëtutëbërësit ka qenë që të mos ndërpritet funksioni i KLD-së, Gjykata vlerëson se KLD-ja ashtu si edhe organet e tjera ekzistuese kushtetuese do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre deri në konstituimin e plotë të organeve të reja kushtetuese”.Erion Bani, kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve tha se “vendimi i gjykatës Kushtetuese mund të ishte vënë në zbatim prej një viti dhe mund t’i ishte dhënë me herët zgjidhje situatës së krijuar“. Sipas tij, “KLD duhet të veprojë të emërojë edhe magjistratët e rinj, që ndërpresin marrëdhënien me shkollën e Magjistraturës me datë 30 qershor”.Këtë propozim, e kanë bërë në mbledhjen e fundit të KLD-së (7 maj), edhe dy anëtarët, Petrit Çomo dhe Gerd Hoxha, ky i fundit njëherazi kreu i Unionit të Gjyqtarëve.Për këtë çështje është vënë në lëvizje edhe kreu i Shkollës së Magjistraturës Sokol Sadushi.Në një letër dërguar Komisionit të Ligjeve ai shkruan: “Duhet një ndërhyrje ligjore që të lejojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm që të emërojë dhe caktojë në pozicione kandidatët magjistratë të diplomuar, deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.Në fillim të majit, 10 magjistratët e rinj të profilit gjyqtar, i janë drejtuar me një letër Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke i kërkuar të ushtrojë kompetencat, për ti emëruar sipas ligjit menjëherë sapo të shkëpusin marrëdhëniet me shkollën e Magjistraturës.“Në situatën kur akoma nuk janë ngritur Këshillat dhe para një perspektive të moskrijimit të tyre në një kohë të afërt, sjellim para jush, nevojën e ushtrimit të kompetencave kushtetuese të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm për emërimin dhe caktimin në detyrë të kandidatëve për magjistratë të diplomuar në vitin 2018, brenda muajit korrik”, thuhet në letrën e magjistratëve.Sipas tyre, “kompetenca e KLD-së dhe Prokurorit të Përgjithshëm për emërimin dhe caktimin në detyrë të kandidatëve për magjistratë, buron nga parashikimet e nenit 179 të Kushtetutës, vendimi nr.34 datë 10.04.2017 i Gjykatës Kushtetuese dhe dispozitat kalimtare të ligjit nr.96/2016 “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.Në javët në vijim, mbetet për t’u parë nëse Këshilli i Lartë i Drejtësisë, do të funksionojë me kompetenca të plota, duke emëruar, trasferuar apo shkarkuar gjykatësit, si dhe duke emëruar magjistratët e rinj. Apo gjithçka do të kthehet në pikën zero dhe kolapsi në sistem sa do të vijë duke u thelluar?

*Ky shkrim është pjesë e Projektit të Institutit Shqiptar të Medias “Media dhe Reforma në Drejtësi”, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Opinionet dhe gjetjet e shkrimit janë të autorit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re