Kolegji Zgjedhor ka vendosur të pranojë kërkesën e kandidatit të opozitës për Bashkinë Kuçovë, Lefter Maliqi, i cili pretendon se rezultati është tjetërsuar dhe procesi ka pasur parregullësi.

 

Në këtë mënyrë Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar qëndrimin e KQZ dhe KAS, ndaj për këtë Maliqi shprehet se drejtësia funksionoi.

 

“Drejtesia funksionoi! Sot fituam ‘Betejën e Parë’, në Kolegjin Zgjedhor, kundër KAS pranë KQZ me votë unanime ku u detyrua KAS pranë KQZ që të marrin në shqyrtim të gjitha pretendimet tona duke filluar nga falsifikimet, shperdorimi i detyres,rinumerim, pavlefshmeri”, thotë ai.

 

Maliqi shprehet se do të vijojë betejën ligjore deri në kthimin e Kuçovës tek qytetarët.

 

“Mirënjohje Trupit Gjykues të Kolegjit Zgjedhot të përbërë nga 5 gjyqtarë profesionistë dhe te paanshëm! Mirënjohje dhe Avokatëve në kembënguljen dhe mbrojtjen e tyre! Beteja ligjore vazhdon deri në kthimin e Bashkisë Kuçovë banorëve. Oligarku Pëllumb Hajdari nuk arriti dot të korruptonte Kolegjin siç ka korruptuar institucionet e tjera. E drejta do të fitojë! S’ka kthim pas! Kuçova patjetër “Kantier Ndërtimi” shumë shpejt”, tha ai.

 

Maliqi ka depozituar të gjitha kallëzimet në lidhje me vjedhjen e pretenduar të votave në Kuçovë pranë Kolegjit Zgjedhor, por edhe në SPAK.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re