Kryeministri Edi Rama sot ne konsultim publik me nxënësit dhe studentet në Durrës tha se prioritet në arsim do te jete teknologjia, duke theksuar se do fillojë puna për laboratorët e informatikës në çdo shkollë dhe se mësimi i saj do nise qe nga klasa e pare.

Rama po ashtu u shpreh se që ka filluar një proces me shtëpitë botuese që të përgatiten koleksione të vecanta librash për bibliotekat në shkolla dhe se ky projekt do realizohet brenda dy viteve.

Rama:
“Sot ne vendosëm që në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm të adresojmë drejtpërdrejtë me financim çështjen e laboratorëve dhe çështjen e mësimit të informatikës. Nuk e di si është në shkollat tuaja, por mbase është rasti edhe këtu, e dini shumë mirë që në një pjesë të mirë të shkollave edhe vetë mësuesit e informatikave janë mësues matematike, ose fizike që bëjnë plotësim orësh.

Ne do të fillojmë punën për të plotësuar laboratorët e shkollave, jo të gjitha përnjëherë se nuk bëhen të gjitha përnjëherë por me qëllimin që plotësimi i laboratorëve të mos jetë një objektiv afatgjatë, por afatshkurtër dhe për të ndryshuar komplet sistemin e të mësuarit të informatikës duke u dhënë mundësinë nxënësve që të marrin një mësim cilësor, një mësim që nuk është mekanik, teorik, por është praktik.

Duke shfrytëzuar një mësim që e keni marrë nga periudha e mbylljes që na ka treguar që nuk është e domosdoshme që të jemi fizikisht në të njëjtën hapësirë për të ndarë dijet tona, apo për të ndarë opinionet tona apo për të ndarë shqetësimet tona.

Që do të thotë se sistemin e dhënies së mësimit të Informatikës, që kemi dhe njëkohësisht objektivin ta nisim qysh në klasë të parë së shpejti, do ta bëjmë sistem të qendërzuar ku falë mundësisë së lidhjes në distancë nxënësit duke pasur mësuesin përkatës të pranishëm në klasë të marrin një pjesë të konsiderueshme të mësimeve nga lektorë të nivelit më të lartë”, tha Rama.

“Shkollat që janë financuar nga qeveria shqiptare kanë përfunduar, ka filluar blloku i parë i financimit të BE, por edhe ajo do të bëhet. Ajo që kam vënë re te shkollat e reja, në më të vjetrat, aty ku ka biblioteka, përgjithësisht ka, koleksionet janë të varfra. Kemi filluar një proces me shtëpitë botuese, kemi përgatitur edhe një koleksion të veçantë për shkollat, edhe bibliotekat do t’i plotësojmë hap pas hapi, në një afat të arsyeshëm, është një objektiv jo afatgjatë, as afatshkurtër, në harkun e dy viteve do të plotësohen”-u shpreh kryeministri.

Gjithashtu kryeministri Edi Rama iu përgjigj një vajze që kishte dilema nëse duhet të ikë jashtë vendit apo të qëndrojë në Shqipëri. Rama e këshilloi atë të pyesë mendjen dhe zemrën dhe në fund të ecë përpara. Ai mori shembullin e futbollistit Leo Messi, i cili, Rama tha se e pa ëndrrën dikur me sy hapur dhe e bëri realitet, pavarësisht asaj që i thonin të tjerët.

“Vajza që bëri një pyetje. Nuk di tha si t’ia bëj, a duhet të shkoj jashtë apo duhet të rri këtu? A duhet të zgjedh ça më thonë? Pyet mendjen, dëgjo zemrën dhe ec përpara. Pasi t’i kesh dëgjuar të gjitha, pyet mendjen tënde.

Bëj një verifikim me zemër. Nëse mendja të thotë kjo është rruga dhe zemra nuk të jep shenjë mendohu prapë sepse mund të ngelesh në mes të rrugës. Kjo botë është e guximtarëve dhe shkon më lart ai, guximtarët janë më shumë ajo në fakt. Sheh një ëndërr me sy hapur dhe ka kurajon ta ndjekë.

Meqë janë çunat këtu, Leo Messi ishte një problem. Nuk rritej dot, Prindërit kishin hall se do ngelej xhuxh ai shihte ëndërr me sy hapur se do bëhej lojtari më i mirë i botës. Fitoi ai sepse pati vullnetin ta ndjekë çmendurinë deri në fund. Po e patë ëndrrën me sy mbyllur bëni kujdes, po e patë me sy hapur e arrini”.

(E.D/faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re