Kolonët hebrenj shkatërruan 400 pemë ulliri që u përkisnin palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Gassan Daglas, kreu i dosjes së vendbanimeve hebraike në veri të Bregut Perëndimor, i lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO), për AA tha se qindra pemë ulliri të palestinezëve u shkatërruan nga kolonët hebrenj në vendbanimin Deir Sharaf në qytetin e Nablusit.

Ai tha se toka ku u hoqën pemët e ullirit që i përkisnin një familjeje palestineze ndodhet pranë vendbanimit hebre, Shavei Shomron.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme palestineze ndaj qeverisë izraelite

Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës dënoi sulmin e kolonëve hebrenj mbi ullishtet e fermerëve palestinezë.

Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë, thuhet se skena të tilla shihen çdo ditë për shkak të ndarjes së rolit midis njësive të ushtrisë dhe kolonëve hebrenj për të uzurpuar tokat që u përkasin palestinezëve në kuadër të politikave të Izraelit për zgjerim. Thuhet se qeveria izraelite ishte tërësisht përgjegjëse për këto sulme kundër palestinezëve dhe tokave të tyre.

Kolonët hebrenj që banojnë në territoret e pushtuara palestineze shpesh presin ose u vënë zjarrin pemëve të ullirit, i cili është burimi kryesor i të ardhurave për fermerët palestinezë në Bregun Perëndimor.

Ka më shumë se 250 vendbanime të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e pushtoi në vitin 1967. Gati 450 mijë kolonë hebrenj që jetojnë në këto vende e bëjnë jetën edhe më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën okupim në Bregun Perëndimor.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territorin e pushtuar konsiderohen të paligjshme.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re