Kolonët fanatikë izraelitë bastisën për të dytën ditë radhazi Xhaminë Al-Aksa, nën mbrojtjen e policisë izraelite, me pretekstin e “Festës së Yom Kippur”.
Në një deklaratë me shkrim nga Administrata e Fondacioneve Islamike të Kudsit thuhet se që nga orët e mëngjesit 336 kolonë bastisën Xhaminë Al-Aksa në qytetin e vjetër të Kudsit Lindor të pushtuar në grupe, nën mbrojtjen e policisë izraelite.
Në deklaratë thuhet se më shumë kolonë pritet të vazhdojnë bastisjet e tyre pasdite.
Muslimanët që luteshin në Mesxhid al-Aksa brohoritnin me slogane duke protestuar kundër bastisjeve ndërsa kolonët kalonin.
Nga ana tjetër, dëshmitarët okularë duke folur për AA thanë se policia izraelite ka ndaluar të paktën 3 palestinezë në oborrin e Mesxhid al-Aksa.
Administrata e Fondacioneve Islamike të Kudsit raportoi se dje 468 kolonë bastisën Xhaminë Al-Aksa.
Miliona hebrenj në Izrael më 4-5 tetor festojnë “Yom Kippur”, që do të thotë “Dita e Shlyerjes”, festa më e shenjtë fetare hebraike.
Kolonët hebrenj shtojnë bastisjet e tyre në Mesxhid Al-Aksa gjatë festave fetare.
Sipas traktatit të paqes të nënshkruar midis Izraelit dhe Jordanisë më 26 tetor 1994, Mesxhid Al-Aksa është nën kujdesin e Administratës së Fondacioneve Islame të Kudsit, e cila është e lidhur me Ministrinë jordaneze të Fondacioneve, Çështjeve Islame dhe Shenjtërisë.
Megjithatë, që nga viti 2003, pa lejen e Administratës, hebrenjtë hyjnë në faltoren e shenjtë me vendim të njëanshëm të Izraelit, të shoqëruar nga policia. Duke i përshkruar këto hyrje si bastisje, Administrata e Fondacioneve Islame të Kudsit thekson se sovraniteti i muslimanëve është shkelur.
Burimi: AA