Sipas burimeve palestineze dhe izraelite, sulmet e kolonëve izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar janë rritur që nga 7 tetori.

Rritja e sulmeve, ndonjëherë nën mbrojtjen e ushtarëve, kundër popullit palestinez dhe pronës së tyre ka përkuar me bombardimet dhe bllokimin shkatërrues të Izraelit në Rripin e Gazës, që nisën në fillim të këtij muaji kur grupi palestinez Hamas ndërmori operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i madh dhe i papritur me lëshime raketash dhe infiltrime në Izrael nga toka, deti dhe ajri.

Që atëherë, kolonët kanë kryer 280 sulme kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, duke vrarë shtatë prej tyre deri më tani, sipas Komisionit të Rezistencës ndaj Murit dhe Vendbanimeve Kolone, i lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO).

Metodat e përdorura nga kolonët në këto sulme ndryshojnë, nga gjuajtja me municion të vërtetë, deri te rrahjet, shkulja e pemëve, gurëzimi i automjeteve, bllokimi i rrugëve dhe sulmimi i shtëpive, familjeve dhe fermerëve.

Sulmet janë përqendruar në jug të El-Halilit dhe në veri të Nablusit, ku janë regjistruar 78 incidente, ndërsa 26 kanë ndodhur në Betlehem, 23 në Salfit, 15 në Jeriko, 12 në Tubas, nëntë në Kuds, tre në Qalqilya, tre në Jenin dhe një në Tulkarm.

Më të spikaturat nga këto sulme, të monitoruara nga Anadolu, janë këto:

– 25 tetor:

Kolonët shkatërruan dy dhoma banimi, dy hambare, një pus dhe panele diellore dhe shkulën pemë në zonën Masafer Yatta, në jug të El-Halilit.

– 24 tetor:

Kolonët dogjën një shtëpi palestineze në periferi të fshatit Talfit, në jug të Nablusit.

– 23 tetor:

Kolonët prenë 40 pemë të vjetra ulliri në rajonin Kafr al-Dik, në perëndim të Salfitit.

– 22 tetor:

Kolonët prenë 70 pemë të vjetra ulliri në fshatin Yasuf, në lindje të Salfitit, sulmun qytezën Huwara, në jug të Nablusit, dhe hapën zjarr ndaj qytetarëve palestinezë.

– 20 tetor:

Kolonët dogjën një shtëpi dhe shkatërruan linjat e ujit në qytezën Al-Auja, në veri të Jerikos.

– 19 tetor

Kolonët e armatosur përdhosën xhaminë e fshatit Manizil, në jug të El-Halilit, duke dëmtuar megafonët e saj dhe duke thyer xhamat.

– 18 tetor:

Kolonët qëlluan një të ri palestinez pranë qytezës Dura al-Qar, afër Ramallahut.

Një grup tjetër hapi zjarr ndaj palestinezëve që mblidhnin ullinj në fshatin Burqa, në veriperëndim të Nablusit.

– 17 tetor:

Kolonët sulmuan fshatin Madama, në jug të Nablusit, me municion të vërtetë dhe bombola gazi lotsjellës.

– 14 tetor:

Kolonët sulmuan shtëpitë palestineze në fshatin Al-Farisiya në veri të Luginës së Jordanit, duke kërkuar që banorët të largohen, si dhe shkatërruan një dhomë banimi.

– 13 tetor:

U publikuan pamje nga grupi i të drejtave të njeriut me bazë në Izrael, “B’Tselem”, që tregonin një kolon të armatosur duke sulmuar palestinezët në fshatin Al-Tuwanah, në jug të El-Halilit, duke qëlluar njërin prej tyre nga afërsia në prani të ushtarëve izraelitë.

– 12 tetor:

Nga qyteza Qasra pranë Nablusit, kolonët qëlluan për vdekje dy palestinezë që merrnin pjesë në një ceremoni për katër të tjerë të vrarë një ditë më parë nga të shtënat me armë nga kolonët në qytezë.

Kolonët plagosën një të ri palestinez duke e qëlluar me plumba të vërtetë gjatë përleshjeve në Sinjil, në veri të Ramallahut.

– 11 tetor:

Kolonët dhe ushtria izraelite qëlluan për vdekje katër palestinezë në qytezën Qasra në Nablus, sipas burimeve palestineze mjekësore dhe lokale.

Kolonët qëlluan fermerët në qytezën Kafr al-Dik, në perëndim të Salfitit, dhe në fshatin Marda, në veri të Salfitit.

– 10 tetor:

Kolonët qëlluan në shtëpitë palestineze në qytetin e El-Halilit.

– 7 tetor:

Kolonët qëlluan me municion të vërtetë ndaj automjeteve civile në rrugën Al-Marajat midis qyteteve Ramallah dhe Jeriko.

Sipas grupit izraelit të të drejtave “Peace Now”, rreth 794.000 kolonë jetojnë në 146 vendbanime të mëdha dhe 140 poste në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet kolone hebreje në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re