Kolonët izraelitë ngritën flamurin e tyre në majë të Xhamisë Ibrahimi në qytetin El-Khalil (Hebron) të Bregut Perëndimor nën pushtim përpara ditës së pavarësisë së Izraelit.

Nedal al-Jaabari, kreu i Vakëfit të El-Khalilit, i cili është përgjegjës për administrimin e xhamisë, e dënoi aktin “si një provokim ndaj ndjenjave të muslimanëve dhe një shkelje flagrante të shenjtërisë së vendeve të shenjta dhe të gjitha normave dhe konventave ndërkombëtareve”, njoftoi agjencia palestineze e lajmeve WAFA.

Sipas agjencisë së lajmeve, një grup kolonësh nën mbrojtjen e forcave izraelite vendosën flamurin në majë të vendit të shenjtë musliman për të festuar ditën e pavarësisë së Izraelit. Ceremonia e shënimit të kësaj ditë filloi të mërkurën në mbrëmje.

Më 25 shkurt 1994, gjatë namazit të sabahut në Xhaminë Ibrahimi, qindra palestinezë u sulmuan në të shtëna masive dhe bomba. Sulmi i tmerrshëm la 29 besimtarë të vdekur dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Palestinezët thonë se sulmi ishte planifikuar nga një grup kolonësh hebrenj me ndihmë indirekte nga ushtria izraelite, e cila nuk ishte në vendngjarje gjatë masakrës.

Muslimanët i kushtojnë shumë vlerë Xhamisë Ibrahimi, pasi besojnë se ajo është ndërtuar mbi varrin e Profetit Ibrahim.

Kolonët hebrenj gjithashtu e nderojnë vendin, duke e quajtur atë Shpella e Patriarkut për shkak të besimit të tyre se varret e Profetit Ibrahim dhe gruas së tij Sarës ndodhen në një shpellë poshtë xhamisë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re