Skip to content

Kolonitë izraelite: ç’kërkon vendimi i GJND-së nga Britania dhe shtetet e tjera?

icj judges 19 july 2024 icj gallery.jpg

Mnistri i Jashtëm britanik Ed Miliband deklaroi dje në Parlament se qeveria e tij e konsideron zyrtarisht të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze.

Ai njoftoi gjithashtu sanksione gjithëpërfshirëse ndaj vendbanimeve izraelite dhe ndalimin e licencave për armë dhe eksporte të tjera që kontribuojnë në mënyrë materiale në mbajtjen e pushtimit.

Miliband tha se qeveria britanike ka arritur në përfundimin se në Bregun Perëndimor po zhvillohet dëbim i palestinezëve nga dhuna e kolonëve dhe akuzoi autoritetet izraelite se po mbyllin sytë ndaj këtyre abuzimeve.

Deklarata britanike lidhet drejtpërdrejt me opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të 19 korrikut 2024. Gjykata konstatoi se jo vetëm vendbanimet izraelite, por prania e vazhdueshme e Izraelit në territoret palestineze të pushtuara është e paligjshme.

Sipas gjykatës, transferimi i qytetarëve izraelitë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor shkel Konventën e Katërt të Gjenevës. Konfiskimi i tokave palestineze, shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe zbatimi i ligjeve izraelite ndaj kolonëve u konsideruan gjithashtu në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

GJND-ja konstatoi se politikat që kanë krijuar ndarje të thellë mes palestinezëve dhe kolonëve izraelitë shkelin gjithashtu normat ndërkombëtare kundër diskriminimit racial dhe se këto politika, së bashku me dhunën e kolonëve dhe zhvendosjen e palestinezëve, kanë kontribuar në një aneksim de facto të pjesëve të mëdha të territorit.

Gjykata kërkoi që Izraeli t’i japë fund pranisë së tij të paligjshme sa më shpejt, të ndalojë zgjerimin e vendbanimeve, të largojë kolonët, të shfuqizojë legjislacionin diskriminues dhe të dëmshpërblejë palestinezët për dëmet e shkaktuara.

Por vendimi përcaktoi detyrime edhe për shtetet e tjera. Ato nuk duhet ta njohin si të ligjshëm pushtimin izraelit dhe nuk duhet të ofrojnë ndihmë që kontribuon në vazhdimin e tij.

Gjithashtu, duhet të shmangin marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare që ndihmojnë në mbajtjen e vendbanimeve izraelite. Një element thelbësor i vendimit është e drejta e palestinezëve për vetëvendosje.

GJND-ja argumentoi se vendbanimet, aneksimi, zhvendosja e popullsisë dhe kontrolli mbi burimet natyrore kanë cenuar rëndë mundësinë e palestinezëve për të ushtruar këtë të drejtë dhe për të krijuar një shtet të pavarur e sovran.

Izraeli nuk e ka zbatuar vendimin. Përkundrazi, zgjerimi i vendbanimeve ka vazhduar dhe projekti E1 pranë Jerusalemit rrezikon të copëtojë më tej Bregun Perëndimor dhe të pengojë krijimin e një shteti palestinez të qëndrueshëm.

Në shtator 2024, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e mbështeti vendimin me 124 vota pro dhe 14 kundër, duke u kërkuar shteteve të ndalonin importet e produkteve nga vendbanimet dhe transferimin e armëve që mund të përdoren në territoret e pushtuara. Afati 12-mujor për përfundimin e pushtimit kaloi në shtator 2025 pa respektim nga Izraeli.

Ndërkohë, disa vende evropiane kanë ndërmarrë masa konkrete. Spanja dhe Irlanda kanë ndaluar importet nga vendbanimet, ndërsa Belgjika, Holanda dhe Norvegjia kanë vendosur ose propozuar kufizime të ngjashme.

Tani Britania dhe Franca, së bashku me Kanadanë, kanë premtuar ndalime kombëtare për tregtinë me vendbanimet izraelite. \\