Presidenti kolumbian Gustavo Petro urdhëroi të kryheshin hetime të premten pas akuzave të reja për përdhunim të fëmijëve, anëtarë të fiseve indigjene, nga anëtarë të forcave të armatosura të vendit të tij dhe një ushtar amerikan.

Rrjeti televiziv kabllor Univision Noticias zbuloi në dhjetor se një ushtar amerikan, i cili ishte në bazën e një batalioni të ushtrisë kolumbiane në vitin 2019, akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një 10-vjeçare indigjenr Nukak, duke e lënë atë shtatzënë, në San Jose del Guaviare, në pyllin tropikal të Amazonës që ndodhet në Kolumbinë jugore.

Univision Noticias denoncoi “fenomenin në rritje të përdhunimit të të miturve indigjenë në rrethin e Guaviare nga burra të bardhë, kryesisht të moshuar, disa prej të cilëve janë ushtarakë”.

Gustavo Petro tha përmes Twitter se ai kishte urdhëruar një komitet të Institutit Kolumbian për Mirëqenien Familjare (ICBF) dhe presidencës “të shkojnë menjëherë në Guaviare dhe të hetojnë akuzat për përdhunim të të miturve”.

“Ky tmerr është nxitur nga mosndëshkimi për vite me radhë,” shtoi ai.

Zyra e prokurorit i tha Univision Noticias se po heton akuzat për abuzim seksual të fëmijëve Nukak nga ushtarë kolumbianë dhe amerikano-veriorë.

Sipas presidentit Petros, “118 pjesëtarë të ushtrisë” të Kolumbisë po përballen me hetime për krime të kësaj natyre.

E pyetur për këtë, ambasada amerikane në Bogota vuri në dukje se asnjë ushtri amerikane nuk ishte vendosur në Guaviare në vitin 2019.

Nukakët indigjenë janë zhvendosur vazhdimisht gjatë luftës civile prej dekadash midis ushtrisë dhe grupeve të armatosura. Sot, shumë prej tyre jetojnë në kampe të pasigurta në periferi të qendrave urbane dhe shpesh përpiqen të sigurojnë jetesën duke lypur.

Sipas OJQ-ve, fëmijët e vegjël dhe adoleshentë të këtij fisi bien shpesh në duart e rrjeteve të tutorëve që shkëmbejnë favoret seksuale me ushqim, ndërsa shumë prej tyre tashmë janë të varur nga droga.

Prokuroria ka nisur hetimet që prej vitit 2020 për përdhunimin e dyshuar të një 15-vjeçareje, anëtare të fisit Nukak, nga tetë burra me uniformë.

Në të njëjtin vit, një vajzë indigjene 13-vjeçare u përdhunua nga shtatë ushtarë në patrullë në zonën e komunitetit Embera Tsami, në prefekturën Risaralda (në veriperëndim). Këta ushtarë u dënuan me 16 vite burg.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re