Zyrtarët më të lartë të Policisë së Shtetit dhe Gardës do të dalin këtë javë para Komisionit të jashtëm të vlerësimit. Sot ka dalë në vetting Komandanti i Gardës së Republikës Gramos Sako.

Trupa e Vlerësimit përbëhet nga Mirela Ujkani (Miti), Alban Laska, Artur Baku.

“News 24” raporton se Komisioni i jashtëm i vlerësimit në seancën dëgjimore për komandantin e Gardës tha se subjekti ka probleme me pasurinë. Sipas KVJ, Gramos Sako ka bërë deklarim të rremë të pasurisë, ka fshehur të ardhura dhe ka dhënë deklarime të rreme.

KJV ka argumentuar se subjekti ka shlyer një kredi prej tre milion lekësh në tre vite pa argumentuar burimin e të ardhurave. Ka shitur fiktivisht një makinë “Toyota” 15 mijë euro dhe nuk ka deklaruar saktë blerjen e një apartamenti.

Po ashtu ka pasur parregullsi në deklarimin e klinikës dentare ku punon bashkëshortja si edhe të ardhurat e përfituara prej saj. Subjekti në kundërshtim me ligjin ka qenë pronar i një bar kafe.

Në pastërtinë e figurës rezulton me probleme pasi ka punësuar dhe favorizuar mbesën si juriste në Gardën e Republikës. Për sa i përket formimit profesional është pa probleme. Vendimi do të jepet më 7 shkurt ora 9:30.

Po sot del para komisionit edhe Gledis Nano, Drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit, në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Subjektet e vlerësimit kalimtar do të jenë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili del nesër në vetting si dhe Artan Shkëmbi me funksion Drejtor i Drejtorisë Hetimore Qendrore, në Departamentin për Policinë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të premten.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re