Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor italian Angelo Michele Ristuccia, tha të martën se KFOR-i dhe NATO-ja mbështesin plotësisht dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ai theksoi se vetëm zgjidhjet politike mund të sjellin paqe dhe stabilitet në rajon.

“Ngjarjet fatkeqe që ndodhën (në veri të Kosovës), veçanërisht ato të 29 majit, treguan se një zgjidhje e tillë politike është e nevojshme”, u tha Ristuccia gazetarëve në Beograd.

Ai ka theksuar se për shkak të një sërë ngjarjesh të tilla, të cilat kërcënojnë sigurinë në Kosovë, KFOR-i është në gjendje të menaxhimit të përhershëm të krizave.

“Sa herë që shpërthen një krizë, nevojiten përpjekje ushtarake dhe diplomatike për të rivendosur një situatë paqësore dhe të ekuilibruar,” tha Ristuccia.

Ai shtoi se KFOR-i është misioni më i madh dhe më i gjatë i udhëhequr nga NATO, i cili funksionon nën mandatin e OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së nga viti 1999, në mënyrë që të garantojë paqen, mbrojtjen dhe një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re