Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia, ka vlerësuar se incidentet e fundit në veri të Mitrovicës janë shqetësuese, sidomos kur ato ndodhin para zgjedhjeve dhe shtoi se KFOR-i “nuk do të tolerojë dhunën”.

Ai tha se ekziston rreziku që “të dështojë puna e plotë që është bërë me vite në veri të Kosovës”.

“Detyra jonë e parë është të sigurojmë lëvizje të lirë në Kosovë”, ka thënë ai.

“Ne jemi të pajisur për t’u përballur me një situatë të tillë. Por ne sillemi sipas situatës në mënyrën më të mirë të mundshme, duke reaguar ndaj çdo situate që na del përpara. Ne nuk e tolerojmë dhunën. Ne nuk mund ta tolerojmë dhunën dhe nuk do ta tolerojmë atë.”

Tensione për targat

Në Zubin Potok dhe Mitrovicë, të martën, zyrtarët e zgjedhjeve komunale dhe policët, në përpjekje për të hapur zyrat e komisioneve komunale zgjedhore, janë sulmuar me bomba trullosëse dhe të shtëna në ajër, njoftoi Policia e Kosovës.

Për shkak të kësaj, zyrtarët zgjedhorë komunalë nuk kanë mundur të vazhdojnë procesin përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna në veri të Kosovës u shpallën pasi përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës, për shkak se Qeveria e Kosovës mori vendim për heqjen e targave për veturat e lëshuara në Serbi.

Ministri i Brendshëm Xhelal Svecla, ka thënë se “në mesin e kriminelëve pas sulmeve të së martës në dy komunat veriore janë edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, të cilët dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit”.

Ristuccia tha se misioni i KFOR-it është i trajnuar dhe i pajisur me forca të mjaftueshme për të kryer të gjitha llojet e detyrimeve brenda mandatit të tij, por gjithashtu se në rast të një përkeqësimi të situatës, ai mund të llogarisë në mbështetjen e “të gjithë NATO-s dhe 27 vendeve anëtare.”

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re