Demokratët që janë djegur nga qumshti, kanë të drejtë t’i fryjnë edhe kosit. Pjesa më radikale e tyre janë mund t’a shohin me dyshim mënyrën se si Lulzim Basha do ta realizojë vendimin e tij për djegjen e mandateve. Ata e kanë dëgjuar edhe më parë të deklarojë, se edhe sikur asnjë njeri të mos mbetej në çadrën e opozitës, ai dhe familja e tij do të qenë të fundit që do të largoheshin forcërisht prej andej.

Të gjithë e dimë se ç’ndodhi: shkoi e u ul në tryezë të fshehtë me Ramën.

Edhe me idenë e djegjes së mandateve nuk është hera e parë që luhet: e ka propozuar me tërsëllimë Berisha dhe me nota më modeste Salianji, por deputetët e PD shkuan si tufë delesh drejt karrigëve të tyre në parlament, pikërisht në ditën kur rrezikonin të kalonin afatin gjashtë mujor të bojkotit.

Edhe tani alibitë për të mos t’a hedhur këtë hap radikal janë të shumta: “nuk na do LSI-a”, “nuk na binden aleatët e vegjël”, “mund të mos e dorzojnë të gjithë deputetët personalisht në KQZ”, “na bënë presion ndërkombëtarët”, “Rama do ta dyndë kuvendin me opozitarë fallco” etj.

Dhe të gjitha këto mund të shërbejnë, që obsioni “djegje mandatesh” të përdoret vetëm si një karem për të gënjyer protestuesit e të enjtes e pastaj të tretet si kripa në ujë.  

Që kjo të mos ndodhë, që në PD mashtrimi të mos bëhet rregull, keru i saj nuk duhet të mjaftohet vetëm me një propozim për forumet e partisë.

Ai duhet t’i tregojë publikut edhe hartën e rrugës. Ai është i dënuar të thotë se kur do ta hedhë këtë hap, kur do tia shtrojë për diskutim atyre forumeve, që as nuk i përfilli kur bëri listën e deputetëve, madje duhet të shkojë edhe më larg, diskutimi dhe votimi për këtë akt me interes publik, duhet bërë i hapur, transparent, me kamera në sallë dhe për të gjithë shqiptarët.

Vetëm kështu njerëzit mund të fillojnë të besojnë se ky propozim nuk është manovra e radhës sa për të mbledhur mitingashë për të enjten (siç u tha të shtunën: Ejani se do rrëzojmë Ramën).

Vëtëm kështu ky vetësakrifikim ekstrem, por i domosdoshëm i opozitës mund të marrë trajta serioze, larg të qenit një fabul, me të cilën bën humor para kamerave Taulant Balla.    

Që demokratët mos vazhdojnë t’i fryjnë kosit, Basha nuk duhet të mjaftohet vetëm me përbetimin, por duhet edhe të tregojë si do ta realizojë atë.

©Lapsi.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re