Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla në një deklaratë për mediat është shprehur se kërkesa për ngritjen e një Komisioni për çështjen e McGonigal me firmë të Sali Berishës nuk do të merret parasysh në asnjë rast si dhe ka nënvizuar se McGonigal ka qenë në Shqipëri në cilësinë e zyrtarit.

 

“Kemi një person të shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që në vlerësimin tonë është në turpin e këtij Kuvendi që ai është akoma anëtar në Kuvendin e Shqipërisë dhe çdo firmë mbështetëse e tij nuk mund të merret në konsideratë ndaj dhe ne do të vazhdojmë mos ta marrim në konsideratë, është vendimmarrje politike e jona”, tha Balla.

 

Gjithashtu Balla është shprehur se mazhoranca po merret me ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore.

 

“Lidhur me komisionet hetimore ne kemi ngritur një komision të posaçëm për ngritjen e komisioneve parlamentare dhe që lidhet me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Janë 6 vendime të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me komisionet hetimore parlamentare dhe që duhet të adresohen edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Që nga viti 2004 deri në 2022 nuk janë transpozuar në legjislacion vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re