Komisioneri Ilirjan Celibashi kërkon ndryshim të Kodit Zgjedhor në përcaktimin e komisionerëve dhe numëruesve vetëm nga politika.

 

Reagimi vjen një ditë pas zgjedhjeve në Rrogozhinë, ku procesi i numërimit të votave nisi thuajse në mesnatë, pasi u vonuan numëruesit e opozitës.

 

Celibashi shkruan në rrjetet sociale se administrimi i zgjedhjeve nga persona të caktuar nga partitë politike po cënon proceset zgjedhore.

 

Nga PS dhe PD ai kërkon që të angazhohen për të bërë këtë ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe për t’i hapur rrugën një administrate zgjedhore jo-politike.

 

Kërkesa e Celibashit përkon edhe me qëndrimin e Partisë Socialiste, për një administratë zgjedhore përtej politikës.

 

“Ndoshta nuk është koha apo edhe rasti, por duhet të sjell në vëmendje tani edhe sidomos pas zgjedhjeve të datës 23 korrik 2023 në Rrogozhinë, domodoshmërinë për ndryshimin e mënyrës së organizimit dhe të funksionimit të komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta.

 

Administrimi i zgjedhjeve në këto nivele nga persona të caktuar vetëm nga partitë politike nuk siguron as integritet të procesit dhe as mirëadministrim teknik të tij. Shpresoj që partitë politike të vlerësojnë me realizëm dhe pa paragjykime këtë konsideratë të KQZ”, u shpreh Celibashi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re