Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, lidhur me qytetin Mariupol të Ukrainës ku vazhdon rrethimi i njësive të Rusisë tha se “qyteti dikur i plotë dhe pa të meta, aktualisht është shndërruar në rrënojë”.

Në një seancë të posaçme për Ukrainën në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Bachelet foli për dëmin që ka shkaktuar lufta ndaj civilëve në Ukrainë.

Në Mariupol, ku civilët janë më të prekurit, njerëzit po përjetojnë “frikë të paimagjinueshme”, theksoi Bachelet.

“Qyteti dikur i plotë dhe pa të meta, aktualisht është shndërruar në rrënojë. Parashikojmë se vdekjet e civilëve në Mariupol do të numërohen me mijëra kur tabloja e humbjeve të jetëve dhe dëmeve të qartësohen”, shtoi ajo.

Ajo vuri në dukje se edhe në zonën industriale Azovstal vazhdojnë konfliktet e dhunshme. Bachelet më tej shprehu kënaqësinë për evakuimin e mbi 500 civilëve nga fabrika e çelikut falë përpjekjeve të Komitetit të Kryqit të Kuq dhe OKB-së.

Ndërsa në lidhje me pretendimet se “trupat ruse kanë kryer përdhunime të civilëve”, Bachelet tha se “zyra jonë ka konfirmuar dhjetëra raste të përdhunimeve në të gjithë vendin dhe vazhdon të hetojë edhe pretendimet e tjera”.

“Lista e krimeve të Rusisë është mjaft e madhe”

Edhe zv/ministrja e Punëve të Jashtme e Ukrainës, Emine Dzhaparova, në një fjalim të mbajtur online theksoi se “sulmet që Rusia ka filluar ndaj vendit tim, janë një luftë kundër të gjithëve ne”.

Dzhaparova vuri në dukje se që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, ukrainasit “nuk e kishin menduar kurrë se do të ishin dëshmitarë të një okupimi dhe persekutimi kaq masiv”.

Në fjalën e saj Dzhaparova deklaroi se mbi 500 mijë ukrainas janë rrëmbyer me forcë në anën kufitare ruse. “Lista e krimeve të Rusisë është mjaft e madhe, përfshirë tortura, përdhunime dhe të zhdukur”, tha Dzhaparova.

Delegacioni rus mungoi në seancë për shkak të përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re