Komisioni hetimor për hetimin e presidentit Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e tij të parë.

Në fjalën e tij, deputeti socialist Bashkim Fino, u shpreh se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka gënjyer elektoratin kur kanë artikuluar se dekretet e presidentit shqyrtohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

Gjatë mbledhjes komisioni vendosi të zgjedhë sekretare deputeten socialiste Klotilda Bushkën, një emër i sjellë në propozim nga Fino dhe i votuar në konsesus nga anëtarët e tjerë të komisionit.

Ndër të tjera Fino tha:

“Unë kam vetëm një konstatim për të bërë dhe ky konstatim ka lidhje me disa afate që rezultojnë nga data e miratimit të dekretit e deri më sot.

Letra e presidentit që Presidenti vendosi ta quajë “dekret për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve” mban datën 10 Qershor.

Sot është data 11 Korrik.

Ajo letër u vlerësua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga ky Kuvend si akt administrativ individual, absolutisht i pavlefshëm.

Përveç debatit të sforcuar të një pjese të analistëve dhe të të gjithë juristëve të PD (të atyre që i kanë mbetur PD-së), i cili gjatë gjithë këtyre ditëve ngeci në kuadrin e diskutimeve populiste për jo profesionistët, nuk ka deri më sot asnjë perifrazim alternativ se si juristët e PD e klasifikojnë këtë lloj “dekreti”.

Por ka një pikë për të cilën të gjithë përkrahësit e një teorie alternative të pashpallur, bien dakord: është insistimi i gjithë këtyre ditëve lidhur me faktin që ajo letër presidenciale duhet të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese.

Sot është data 11 Korrik.

Praktikisht sot është ezauruar afati 30 ditor i ankimimit (edhe në Gjykatën Kushtetuese po ta donin të gjithë të interesuarit), për dekretin e datës 10 Qershor lidhur me ç’ dekretimin e datës së zgjedhjeve.

Kjo do të thotë që PD dhe LSI deri sot kanë gënjyer të vetët dhe shqiptarët kur thoshin se për ta, dekretet e presidentit shqyrtohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

Asnjëri nuk ju drejtua Gjykatës Kushtetuese.

Ndaj sot ky komision e nis punën me këmbë të mbarë dhe pa asnjë procedurë ankimimi, në lidhje me arsyetimin juridik dhe interpretimin e bërë deri më sot për dekretin e datës 10 Qershor si nga KQZ, ashtu edhe nga Kuvendi dhe Kolegji Zgjedhor.

Jam i sigurtë që nuk do ketë ankimime të këtij lloji as për dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve në 13 tetor”, u shpreh Fino.()

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re