Komisioni i Ekonomisë pas dy orëve debat votoi në shumicë pro shkarkimit të Arben Malajt nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Në votim kanë marrë pjesë 17 deputetë, ku 12 deputetë janë shprehur pro shkarkimit dhe 5 kundër shkarkimit.

Malaj pritet që të jetë vetë në Parlament ditën e mërkurë, ku do të paraqesë sërish argumentet e tij se pse e konsideron propozimin e kryeministrit Rama të paligjshëm.

Që në nisje të mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, Malaj tha se procedura ishte shkelur pasi në këtë mbledhje duhet të ishin përfaqësues nga kryeministri, pasi ishte propozues i shkarkimit të tij, si dhe përfaqësues nga Këshilli i Ministrave të cilëve duhet t’iu drejtonte pyetje.

Pjesë nga debati:

Malaj: Ka një ngërç institucional, pasi nuk ka një përfaqësues nga qeveria, dhe një nga ana e kryeministrit.

Ahmetaj: Këshilli i Ministrave ka njoftuar se nuk do të sjellë përfaqësues në këtë mbledhje. Nuk ka ardhur asnjë përfaqësues i Këshillit të Ministrave.

Malaj: Jam anëtar i një institucioni Kushtetues, dua përfaqësuesin e qeverisë, duhej të garantohej që në këtë mbledhje të ishte një person i noterizuar nga ana e kryeministrit, pasi ai është personi që ka propozuar shkarkimin tim. Kjo që bën kryeministri është një vendim penalizues ndaj taksapaguesve shqiptarë.

Unë jam shumë i kujdesshëm me shkresat, dhe që në kokë thuhet se kjo është bërë me propozim të kryeministrit.

Ahmetaj: Ligji nuk shpreh detyrim, megjithatë Këshilli i Ministrave nuk ka dërguar përfaqësues.

Malaj: Po kryeministri, kujt do ia bëj pyetjen unë? Unë nuk i di argumentet që ka përdorur kryeministri, kam kërkuar audio, nuk më është dhënë, kjo është e drejta minimale që mund të kërkojë një person që është në proces shkarkimi.

Ahmetaj i kujtoi Malajt, dhe marrëdhëniet e mira që kanë pasur mes tyre, ndërsa ish-ministri që po përballet me shkarkimin tha se në këtë mbledhje do të fliste vetëm ligjërisht.
………………….

Ish-ministri socialist i Financave tha se vendi po keqqeverisjet, ndërsa e ka cilësuar Bankën e Shqipërisë, si bankën më të vjedhur në botë.

Po ashtu Malaj bëri deklaratën e fortë kur tha se sulmi ndaj tij cënon në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë e Bankës së Shqipërisë.

“Nëse një vend qeveriset mirë, fitojnë shqiptarët, nëse qeveriset keq kostot i paguajnë po ashtu qytetarët.

Mentaliteti i vjetër që banka qendrore është hermetike nuk qëndron, pasi e keni parë se çfarë po ndodh me papa Franceskun, ai po demokratizon bankën më të fshehtë në botë, bankën e Vatikanit.

Mos të më mërzitet Lali Eri dhe Taulant Balla, por unë do të flas kur vendi është në krizë.

Nuk ka element të matshëm se sa unë e kam cënuar etikën në qëndrimet e mija. Si pasojë e sulmeve që po më bëhen mua, po cënohet siguria e Bankës së Shqipërisë.
Banka e Shqipërisë është Banka Qendrore më e vjedhur në botë dhe qytetarët nuk kanë pasur panik”, u shpreh Malaj.

Ndërkohë sipas avokatit të Malajt, Jordan Daci i cili tha se kjo procedurë ka nisur me gabime procedurale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re