Nënkryetari i Partisë Demokratike, bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, i ka kërkuar Partisë Socialiste që të tërhiqet nga nisma në Parlament për të ndryshuar formulën e këtij Komisioni dhe për të marrë shumicën.

Në një prononcim për mediat jashtë Parlamentit, Boçi deklaroi se nëse PS nuk tërhiqet nga kjo nismë, atëherë nuk ka më arsye se përse përfaqësuesit e PD-së të qëndrojnë në Komision.

Boçi kërkoi gjithashtu që të mblidhen bashkë dy kryetarët dhe të zgjedhin sekretarin e Komisionit, si dhe të vendosin bashkarisht për mbledhjet.

Jo, paqartësitë duhen sqaruar, ndërkohë që unë kam deklaruar dhe deklaroj sërish që opozita ka qenë pjesë e këtij komisioni. Thirrjet e këtij komisioni nuk kanë qenë të realizuara në bazën e rregullores dhe kushtetutës.

Dhe është e qartë që si do vazhdohet, duhet një dakordësi e dy bashkëkryetarëve, meqënëse nuk është zgjedhur sekretarja e komisionit, që ne të vendosim datën e mbledhjes së komisionit. Në qoftë se ata nuk e tërheqin atë vendim, atë propozim, do të thotë që ata marrin shumicën dhe në këtë rast Partia Demokratike, opozita nuk ka asnjë arsye të jetë në atë komision. Duhet të tërheqet, të tërhiqet ai vendim, të ruhet pariteti dhe bashkëkryesia”, tha ndër të tjera Boçi.

Kuvendi shqyrtoi këtë të martë propozimin e Partisë Socialiste për të rishikuar përbërjen dhe drejtimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, duke kaluar në 17 anëtarë (9 PS, 8 opozita) dhe një kryetar nga mazhoranca me nënkryetar nga opozita.

Kjo kërkesë e mazhorancës vjen pas bojkotit të mbledhjeve nga opozita, ndërsa demokratët pretendojnë se mungesa nuk ishte bojkot, por nuk kanë marrë pjesë për shkak të agjendave paralele.

LEXO EDHE: Debatet për “Territorialen”, Balla replikë me opozitën: Në mëngjes keni mend të tjera, më pas e ndryshoni

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re