Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka reaguar pas skadimit të afatit që iu vendos Lulzim Bashës për të liruar selinë blu.

Gjatë një reagimi për mediat, Komisioni i Rithemelimit ka bërë paralajmërimin e fortë për atë që e quajnë “binomin” Rama – Basha ku nënvizohet se do të marrin përgjigjen e merituar.

Gjithashtu, Komisioni fton të gjithë demokratet dhe demokratët e Shqipërisë të bashkohen, në protestën paqësore të datës 8 janar.

Deklaratë për mediat nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike:

JO BUNKER I PENGUT POR SHTËPI E DEMOKRATËVE!
Sot skadoi afati i caktuar me tolerancë dhe civilitet nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, për lirimin e zyrës së kryetarit të PD-së nga ana e Lulzim Bravës, pas shkarkimit të tij me votën e lirë, nga 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të datës 11 Dhjetor 2021 dhe nga 44 mijë anëtarë të PD-së, që morën pjesë në Referendumin e Partisë Demokratike të datës 18 Dhjetor 2021.
Në vend të respektimit të këtij afati, deputeti Lulzim Basha, peng mjeran i Edi Ramës për aferat e tij, reagoi në mënyrën më të turpshme e kriminale. Ai shfrytëzoi ditët e afatit tolerant, jo për të mbledhur rraqet e veta por për të blinduar dyer, hyrje e dritare të Selisë së demokratëve shqiptarë, sikur ta kishte pronë private, njëlloj dhe me të njëjtin projekt si Pengmarrësi i tij, ndërtesën e Kryeministrisë.
Ky akt i pashembullt në historinë e një force politike, është përdhosje e selisë së PD, votës së 4446 delegatëve të Kuvendit Kombëtar dhe 44 mijë anëtarve të Partisë Demokratike, të gjithë demokratëve që nga themelimi i PD-së, si dhe i të rënëve të kësaj partie në këto 30 vite.

Shndërrimi i selisë së Partisë Demokratike në një bunker privat të një pengu, skllav i aferave të tij, i cili nuk pranon votën e 4446 delegateve të Kuvendit Kombëtar, që nuk njeh votën e 44 mijë anëtarve të Partisë Demokratike dhe që u thotë shqiptarëve se 1958 vetë, në sallën e Pallatit të Kongreseve, janë 5004 delegatë në anti-kuvendin e tij, është akt i hapur pushtues dhe armiqësor ndaj tyre.
Me këtë akt të pashembullt, ky peng-skllav i dosjeve të tij dëshmon se në zbatim të urdhërave që merr nga pengmarrësit, mendon se mund të mbajë peng, me forcën e narkoshtetit selinë, anëtarësinë, Kuvendin dhe Referendumin, vetë Partinë Demokratike si dhe pluralizmin politik në Shqipëri.

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe këto qëndrime armiqësore ndaj demokracisë, këto përpjekje kriminale të klikës së narkoshtetit Rama-Basha për të mbajtur peng Partinë Demokratike, opozitën dhe pluralizmin politik në Shqipëri.

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike paralajmëron binomin Rama – Basha se, për skenarin e tyre antidemokratik dhe destabilzues do të marrin si përgjigje të merituar turpin e historisë.

Ata që thërmuan bunkerin hoxhist në vitet ‘90 dhe e nxorrën Shqipërinë nga izolimi gjysëm shekullor, do të shembin çdo bunker dhe do të rikthejnë Selinë e Partisë Demokratike në Shtëpinë e Lirisë së demokratëve shqiptarë.
Komisioni fton të gjithë demokratet dhe demokratët e Shqipërisë të bashkohen, në protestën paqësore të datës 8 Janar, para Selisë së Partisë Demokratike, me moton “Jo bunker i Pengut po Shtëpi e Demokratëve”, të firmosin kështu rikthimin e Selisë së PD në Shtëpinë e Lirisë së demokratëve dhe simbolin e shpresës, për mbarë shqiptarët.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re