Komisioni i Sigurisë ka mbajtur sot një minutë heshtje në nder të efektivit të Forcave Shqiponja, 28-vjeçarit Novruz Cenalia që u ekzekutua me plumb në kokë më 13 maj, nga 23-vjeçari Asllan (Agzan) Mernica, në Fier.
Në lidhje me këtë ngjarje, deputeti demokrat Ervin Salianji u bëri thirrje organeve ligj zbatuese të vënë sa më shpejt para drejtësisë autorin e kësaj ngjarjeje dhe t’i japin dënimin e merituar.
Salianji ngriti shqetësimin e sigurisë në vend, duke thënë se kjo ngjarje tregoi sesa gjendja e kriminalitetit është e rëndë.
“E kam thënë dhe dihet që duke iu bashkuar dhimbjes së familjarëve të policit të vrare fatkeqësisht, por edhe dhimbjes së kolegëve të Policisë së Shtetit, ne e dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë ngjarje dhe padyshim organet ligj zbatuese duhet të përdorin forcën më të madhe për të nxjerrë një orë e më para drejtësisë autorin dhe për t’i dhënë ndëshkimin më të merituar.
Thënë këtë, ne do të marrim pjesë në çdo homazh, që inshalla është i fundit, që ka të bëjë me punonjës policie që bien në detyrë apo ka qenë duke marrë detyrën si në rastin e fundit. Por fakti që persona delinkuent guxojnë të vendosin dorë mbi punonjës të Policisë së Shtetit, tregon e gjendja e kriminalitetit është i rëndë dhe autoriteti i shtetit, për shkak të lidhjeve të drejtuesve të policisë me persona me precedentë apo me banda të krimit të organizuar në çdo cep i jep hov krimit dhe e bën të barabartë drejtuesit e policisë duke i vënë në rrezik.
Si në këtë rast, ky komision duhet të diskutojë dhe raste të tjera si rasti fatkeq i humbjes së jetës të një nëne me tre fëmijë në Shkodër, për të diskutuar dhe marrë masa se çfarë nuk shkon nga pikëpamja ligjore dhe ku duhet të ndërhyjmë. Pa diskutim të merren masa konkrete”, tha Salianji.



