Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi marrëveshjen teknike ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s, për realizimin e bazës ajrore të Kuçovës, të financuara nga programi i investimeve të NATO-s për sigurinë, vitet 2019-2022.

Kryetarja e komisionit Ermonela Felaj në fjalën e saj u shpreh se ky investim është në interes të përbashkët të të dyja palëve edhe NATO-s dhe Shqipërisë, duke shtuar se baza e Kuçovës do të sjellë të mira jo vetëm për komunitetin e zonës, por për të gjithë Shqipërinë.

I ftuar për të diskutuar mbi këtë projektligj ishte zv/ministri i Mbrojtjes Petro Koçi i cili e konsideroi interes strategjik kombëtar këtë marrëveshje, duke shtuar se baza ajrore e Kuçovës do të kthehet në bazë ajrore taktike e NATO-s.

Koçi shtoi se buxheti i shtetit do të mbulojë shpronësimet dhe rrethimin e të gjithë bazës, duke theksuar se kjo është një shifër e pakonsiderueshme, nëse e krahason me investimet e mëdha që NATO do hedhë.

Sipas zv.ministrit, ngritja e kësaj baze gjithashtu do të shtojë edhe numrin e punonjësve të Forcave të Armatosura, vendim ky që pritet të merret në ditët në vazhdim se sa do të jetë kapaciteti.

“Kjo marrëveshje është një interes strategjik kombëtar dhe ka për qëllim investimin nga NATO për implementimin e programit, i cili do të mundësojë modernizimin e bazës ajrore Kuçovë dhe kthimin e saj në një bazë ajrore taktike të NATO-s.

Buxheti i shtetit do të mbulojë pjesën e shpronësimeve, pasi baza është zgjeruar dhe ka prekur toka private. Po ashtu nga buxheti i shtetit do të bëhet edhe rrethimi i të gjithë zonës dhe survejimi i saj, por kjo është një shifër shumë e papërfillshme nëse e krahasojmë me ato të NATO-s.

Por ne jemi duke diskutuar edhe për rritjen e stafit të Forcave të Armatosura”, u shpreh zv.ministri Petro Koçi.

Relatori për këtë marrëveshje Xhemal Qefalia, nga ana e tij e cilësoi shumë të rëndësishme marrëveshjen në fjalë pasi sipas tij, marrëveshja ka të bëjë me integrimin më tej të Forcave tona të Armatosura në NATO dhe është një investim i drejtpërdrejtë, që do të mundësojë modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re