Komisioni Hetimor për sistemin TIMS, me kryetar Ervin Salianjin, nisi punën të martën dhe do të ketë 4 muaj afat për të konkluduar punën e tij.

Salianji ka prezantuar planin e punës si edhe listën e dëshmitarëve që do të thirren para hetimorit.

Sipas planit, si dëshmitarë do të thirren emra të lartë titullarësh si, kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe paraardhësi i tij, Bledi Çuçi u kërkuan nga opozita për të dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar.

Mirëpo, mazhoranca bëri një kundërpropozim duke kërkuar që në cilësinë e personave që kanë dijeni, nisur nga denoncimet publike, të dëshmojnë edhe Sali Berisha, Lulzim Basha e Gazment Bardhi. Kërkesë e cila duket se ka gjetur dakordësinë e kryetarit të komisionit, Salianji.

“Komisioni rezervon të drejtën që ne Planin e Hetimit të thërrasë për të dëshmuar çdo person apo funksionar tjetër që ka dijeni rreth objektit të hetimit, dhe që rezulton i përfshirë në këtë çështje nga shqyrtimi i dokumentacionit zyrtar”, thuhet në shkresën e firmosur nga Ervin Salianji.

Hetimi konsiderohet i hapur dhe Komisioni do të përfundojë veprimtarinë e tij brenda afatit të caktuar me vendim të Kuvendit 21 Korrik 2024.

“Mbi bazën e Planit Paraprak të Hetimit dhe propozimet e ekspertëve ligjorë, Kryetari i propozon Komisionit për miratim projektvendimin “Për miratimin e Planit të Hetimit të Komisionit Hetimor” brenda afateve të parashikuara nga ligji. Me qëllim hartimin e Planit të Hetimit dhe realizimit të veprimeve të përcaktuara në këtë Plan Paraprak Hetimi, Komisioni, nëpërmjet Kryetarit, mund të kërkojë të dhëna dhe dokumente të tjera nga titullarët e institucioneve publike, si dhe të kryejë çdo veprim sipas nenit 15 dhe 17 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit””, thuhet në planin e detajuar hetimor të komisionit parlamentar të TIMS-it.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re