Prokurorja Elsa Miha e Prokurorisë së Tiranës e nisi me disavantazh procesin e vetingut, pasi Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i konsideronte disa prej deklarimeve të saj si të pasakta dhe të rreme. Por hetimi 2-vjeçar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i rrëzoi si të pabazuara konstatimet e ILDKPKI-së, ndërsa në seancën dëgjimore të zhvilluar mëngjesin e së martës, Mihës iu kërkuan shpjegime shtesë për një huamarrje prej 18,500 eurosh si dhe balancat negative të dy viteve në vlerën totale të 658 mijë lekëve.

Prokurore prej 17 vitesh, Elsa Miha u paraqit e vetme në seancën dëgjimore përballë trupës së drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Lulzim Hamitaj. E pranishme në seancë ishte edhe vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova.

Relacioni për prokuroren Miha përfshiu pasuritë në pronësi dhe përdorim, të përbëra nga një apartament në lagjen Apollonia të Fierit, i blerë për 4.2 milionë lekë, një apartament 3+1 në Tiranë në pronësinë e vëllait të subjektit, por i përdorur prej kësaj të fundit si dhe një automjet “Damler Chrysler”.

Hetimit iu nënshtruan gjithashtu të ardhurat e bashkëshortit nga një klinikë mjekësore private si dhe një hua prej 18,500 eurosh, e marrë te kunati i prokurores Miha për shlyerjen e plotë të kredisë bankare, që shërbeu si burim për blerjen e apartamentit në Fier.

Siç u shpjegua në seancë, kontrasti mes raportit të ILDKPKI dhe hetimit të kryer nga KPK qëndronte mbi çmimin e apartamentit të vetëm në pronësi të Mihës që ndodhet në Fier, i deklaruar me vlerë 4.2 milionë lekë dhe me burim një kredi bankare prej 50 mijë eurosh.

ILDKPKI ka ngritur dyshime se prona vlente 6 milionë lekë, duke e konsideruar këtë një deklarim të rremë me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Por gjatë procesit, Miha ka shpjeguar se ajo dhe bashkëshorti kishin prenotuar fillimisht një apartament më të madh, por pasi banka u miratoi kredinë prej 50 mijë eurosh nga 60 mijë të kërkuara, ata morën një apartament më të vogël prej 4.2 milionë lekësh.

Në këmbim, ndërtuesi u ktheu tepricën e pagesës prej 1.8 milionë lekësh, e cila shërbeu për mobilimin e shtëpisë dhe blerjen e automjetit “Damler Chrysler”.

Relatorja Genta Tafa Bungo tha në seancë se gjatë hetimit kishin siguruar dokumente dhe mandat-pagesa të cilat vërtetonin deklarimet e prokurores Miha.

“Shpjegimet e subjektit përputhen me dokumentet dhe nuk ka paqartësi apo dyshime,” tha Bungo në seancë.

KPK nuk ka gjetur probleme me apartamentin në pronësinë e vëllait, që prokurorja Miha e ka përdorur pas transferimit në Tiranë dhe as me të ardhurat e bashkëshortit.

Megjithatë, hetimi gjeti mungesë burimesh të ligjshme prej 174 mijë lekësh nga kunati i prokurores Miha – huadhënës i vlerës 18,500 euro si dhe pamundësi financiare prej 658 mijë lekësh në analizën financiare të subjektit për vitet 2011 dhe 2013.

Në fund të relacionit, Bungo tha se prokurorja Miha nuk ka probleme të figurës, ndërsa në kriterin e aftësive profesionale iu kërkuan shpjegime për një hetim të mbyllur.

Në fjalën e saj, Miha u ndal tek çështjet ende në diskutim mes saj dhe KPK-së; të cilat lidhen me huanë e marrë nga kunati për shlyerjen e kredisë dhe balancat negative në analizën financiare.

Ajo shpjegoi se kishte qenë në interesin e kunatit shlyerja e plotë e kredisë së tyre, pasi prona e tij ishte vendosur si kolateral në procesin e blerjes së apartamentit në Fier. Në anën tjetër, sipas saj, kjo pronë ishte në proces shpronësimi, nga e cila kunati priste të merrte 55 milionë lekë.

Miha tha se Komisioni nuk kishte llogaritur në analizën financiare të kunatit të ardhura të tjera –mes të cilave edhe një hua e marrë në vitin 2013. Duke iu referuar shpjegimeve të kunatit, ajo tha se si burim për huanë prej 18,500 eurosh kishte shërbyer një kredi bankare –e cila ndonëse kishte destinacion tjetër, i ishte kthyer pjesërisht atij për këtë qëllim përkohësisht.

Ndërsa Miha pretendoi se një ekspert kontabël e nxirrte balancën e kunatit pozitive, anëtari Lulzim Hamitaj e quajti alogjik pretendimin e saj se një hua e marrë nga kunati në vitin 2013 kishte shërbyer si burim për huanë e dhënë prej tij në vitin 2015.

“Ky është vetëm një zë, pasi pretendimi ynë është që diferenca negative nuk ekziston,” tha Miha.

Sa i përket diferencës negative prej 658 mijë lekësh në analizën e saj financiare, Miha ia atribuoi atë moskuptimit të drejtë për gjendjen cash në deklarimet periodike të pasurisë. Ajo theksoi se kishte filluar ti deklaronte më vete kursimet cash vetëm në vitin 2013, por kishte pasur mundësi reale kursimi edhe para këtij viti.

E pyetur sërish nga Hamitaj se në ç’rrethana kishte reflektuar për gjendjen cash, Miha u përgjigj se kjo kishte ndodhur pas diskutimit me një koleg mbi mënyrën se si deklarohej, me shtesa dhe pakësime.

Në përfundim të fjalës së saj, prokurorja Miha e vlerësoi hetimin e KPK-së si serioz dhe të drejtë dhe i dha nota emocionale mbrojtjes, ndërsa shtoi se ajo dhe bashkëshorti i saj mjek e kishin konsideruar gjithmonë detyrën si përgjegjësi dhe sakrificë dhe jo si privilegj.

“Cila është pasuria ime? Një apartament në Fier, një automjet 20 vjeçar i blerë me vlerën reale të tregut. Edhe familja jonë e madhe nuk kanë biznese dhe pasuri të patundshme, përveç një shtëpie,” tha Miha, e cila kërkoi konfirmimin në detyrë.

Kryesuesja e seancës, Suela Zhegu njoftoi se vendimi do të shpallej të enjten në orën 9:30./ Aleksandra Bogdani – BIRN/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re