Komisioni Zgjedhor i Pakistanit ka përjashtuar ish-kryeministrin Imran Khan për shkak se nuk kishte zbuluar dhuratat që kishte marrë gjatë kohës që shërbeu si kryeministër i vendit.

Komisioni pesë anëtarësh zgjedhor i Pakistanit, i kryesuar nga Sikandar Sultan Raja, solli një vendim unanim sipas të cilit Khan përjashtohet nga parlamenti.

Sipas vendimit, Khan duhet të përballet me akuza penale për fshehjen e detajeve të dhuratave që ka marrë nga vende të ndryshme gjatë mandatit të tij mbi 3-vjeçar si kryeministër.

Në zgjedhjet e pjesshme në fillim të kësaj jave, Khan fitoi gjashtë nga shtatë vendet e Asamblesë Kombëtare për të cilat ai garonte në të gjithë vendin.

Partia e ish-kryeministrit Khan, Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI), ka hedhur poshtë vendimin dhe ka thirrur protesta mbarëkombëtare kundër komisionit zgjedhor.

“Komisioni Zgjedhor nuk ka autoritet të përjashtojë asnjë anëtar të parlamentit. Komisioni ka shkelur ligjin”, deklaroi Asad Umar, një udhëheqës i PTI-së dhe ish-ministër në kabinetin e Khan, duke paralajmëruar se do të apelojnë vendimin.

Ndërkohë, drejtuesit e PTI-së i kërkuan popullit që të dalin në rrugë për të kundërshtuar fuqishëm këtë vendim.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re