Komiteti Teknik i Ekspertëve këtë të enjte ka paralajmëruar se do të bëjë publike masat e reja anti Covid që ka ndërmarrë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Pritet të deklarohen edhe shifrat e ditës së sotme, përpara se të publikohet vendimi mbi masat e reja.

Në mbledhjen e radhës, Komiteti Teknik do të ketë edhe 3 anëtarët e rinj të sapo zgjedhur, pas largimeve të Tritan Kalos dhe Najada Çomos.

Megjithatë, anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve nisur nga situata e fundit, mësohet se i kanë marrë vendimet që do të publikohen më 25 mars.

Ajo që mësohet paraprakisht është fakti se nuk do të ketë ashpërsim të masave, përkundrazi, është diskutuar që të ketë ndryshim të orarit të lëvizjes për qytetarët, për ta rikthyer atë siç ishte: 22:00 me 6:00.

Vendimet e reja nga ekspertët e Shëndetin lidhen me fushatën dhe me datën e zgjedhjeve më 25 prill, mbi mënyrën sesi duhet të sillen subjektet politike dhe qytetarët.

Shifrat zyrtare të ditëve të fundit tregojnë për një rënie të infeksioneve dhe numrit të vdekjeve nga Covid. Po ashtu edhe në spitale, situata paraqitet e normalizuar.

Ministria e Shëndetësisë raportoi se  nga 2174 teste në 24 orët e fundit, u regjistruan vetëm 303 raste të reja dhe 11 humbje jete. Po ashtu në 24 orët e fundit, 11 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19.

“Në 24 orët e fundit janë shëruar 651 qytetarë” – konfirmoi MSH, çka do të thotë dyfishi i të infektuarve.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 394 pacientë, 24 në terapi intensive, nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.

Ndryshe nga një muaj më parë, kur shifrat e të shtruarve ishin mbi 600, situata e ditëve të fundit paraqitet krejt ndryshe.

Anëtarët e komitetit prej një muaji, në dy daljen e tyre të fundit nuk ndryshuan asnjë nga masat e vendosura më herët, kur për shkak të shifrave në rritjen kthyen orarin nga 22:00 në 20:00.

Deri më tani kujtojnë se ndalohet lëvizja nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, gjithashtu kujtojmë se në gjimnazet e 7 bashkive që janë cilësuar si vatra të nxehta infeksioni mësimi vijon online.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re