Komiteti i Lirive Civile i Parlamentit Evropian, i njohur si LIBE, votoi të enjten në favor të nisjes së negociatave me Këshillin Evropian dhe Komisionin Evropian për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës me zonën e BE-së, Schengen.

Eurodeputetja e raportuesja për liberalizimin e vizave me Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka kërkuar mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e konsideruar se ajo ka mbetur e bllokuar në rajon.

“Janë më të izoluarit në Ballkan, dhe është shumë e vështirë. Dua nga ju që të mbështesni Kosovën në luftën e saj për vizat dhe tani të votoni për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka mirëpritur votimin pro.

Ajo, në një postim në Facebook shkruan se tani cdo gjë është në dorën e institucioneve të BE-së.

“Pas votimit në Komision, procesi vazhdon në seancën plenare të Parlamentit Evropian që pritet të mbahet në mesin e shtatorit të këtij viti, pastaj në Këshillin e Ministrave e tutje. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që janë kërkuar dhe presim që procesi i vendimmarrjes të përmbyllet brenda këtij viti, megjithatë tashmë çdo gjë është në dorën e institucioneve të BE-së”, shprehet  Hoxha.

Kujtojmë se Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re