Zv.Ministrja e Shëndetësisë dhe drejtuesja e Komitetit teknik të Ekspertëve Mira Rakacolli, ka deklaruar se masat anti-Covid nuk do të ndryshojnë, me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve.

Rakacolli tha se ora policore vijon të mbetet në intervalin 23:00 deri më 06:00 të mëngjesit.

“Niveli i masave që janë në fuqi është i përshtatshëm për të përballuar situatën. Mbeten në fuqi masat që janë. Por përhapja e Omicron në botë, bën të domosdoshëm respektimin e përgjegjshëm të masave.

Të gjithë studiuesit po bëjnë thirrje për përshpejtim të procesit të vaksinimit, sepse po bëhet e qartë se infektohen më tepër të pa vaksinuarit dhe humbjet e jetës janë te të pa vaksinuarit. Sidomos kjo bëhet e ndjeshme në kushtet e pranisë së variantit Omicron.

Vaksinimi s’është zgjedhje personale, por përgjegjësi kolektive. Jemi në fundvit, vjet patëm raste të rritura për shkak të mosrepspektimit të masave. Të respektohen standardet këtë vit e të përdoret maska. Ora policore vijon të mbetet e njëjtë, përjashtim të natës së ndërrimit të viteve”,-tha Rakacolli.

Në lidhje me “Omicron”, komiteti teknik i ekspertëve pohoi se varianti i ri ka mbërritur në Shqipëri, dyshim i cili është konfirmuar pas analizave të kryera në Gjermani. Analizat kanë konfirmuar 2 raste me ‘Omicron’ në Shqipëri.

“Siç jeni në dijeni prej disa javësh në botë po qarkullon Omicron. Komiteti bën me dije se është konfirmuar dyshimi i specialistëve për praninë e Omicron edhe në Shqipëri me përgjigjen e ardhur nga laboratori në Gjermani. 

Megjithatë në Shqipëri vijon të mbizotërojë varianti Delta. Si jeni në dijeni situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme edhe në dy javët e fundit si në drejtim të rasteve të reja ditore edhe në drejtim të rasteve që kërkon trajtim spitalor“, tha Rakacolli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re