Kompania franceze Voltalia u shpall fituese këtë të enjte për garën e ndërtimit të impiantit fotovoltaik të Spitallës.

Në hapjen e ofertave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u nënvizua se pjesëmarrëse në ankand ishin të paktën pesë kompani por vetëm dy prej tyre ishin kualifikuar për përmbushjen e kushteve tekniko-ligjore dhe që mund të kishin edhe një ofertë financiare.

Kompania e dytë pas Voltalias ishte Universal Energy me kapital kinez dhe që ofroi një çmim 46 euro/MWh. Për këtë procedurë ministria kishte vendosur një çmim tavan prej 55 euro/MWh dhe kompanitë mund të ofronin nën këtë fashë për pjesën e energjisë që do të parablihet nga OSHEE.

“Kemi bërë një rrugëtim të gjatë nga hapja e anakandit në nëntor 2020 dhe jemi mbështetur nga BERZH. Mbasi u mbyll afati i dorëzimit të ofertave në datën 1 shkurt dhe duke nisur nga data 8 shkurt patëm mundësinë të shihnim ofertat teknike nga 5 kompani të mëdha që kanë eksperiencë në sektor dhe fakti që kompani të mëdha që kanë eksperiencë kanë treguar interes për të investuar në Shqipëri është një tregues domethënës.

Në shumë shpejt do nisim një formë të re ankandesh që janë hibride dhe do të jenë diellore dhe eolike në një. Do të jetë një anakand i ri duke qenë se shteti nuk do angazhohet me vendosjen e tokës në dispozicion të investitorëve por do të jenë këta të fundit që vijnë tek ne me propozimin konkret dhe ofertën financiare”.

Parku i Spitallës dhe Karavastasë

Sipërfaqja ku do të ndërtohet parku fotovoltaik i Spitallës është 120.85 hektarë. Rrezatimi diellor maksimal horizontal në këtë zonë varion nga 3.2 – 4.8 kwh/m2 Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë një kapacitet të instaluar prej 100 Mw nga të cilat 70 Mw do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 Mw do të tregtohen në treg të lirë.

Më herët qeveria dha një tjetër impiant fotovoltaik përmes ankandit dhe bëhet fjalë për atë të Karavastasë.

Dhe në këtë rast fituese ishte kompania franceze Voltalia ofroi 24,89 euro për megavat si çmim për energjinë që do të parablihet nga OSHEE.

Ankandi i parë për të cilën qeveria u angazhua në fotovilatik ishte ai i Akërnisë por që nuk u finalizua kurrë dhe tashmë palët janë në arbitrazh. /Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re