Meta njoftoi se do të rikthejë llogaritë e ish-presidentit amerikan Donald Trump në Facebook dhe Instagram “në javët e ardhshme”, të cilat u pezulluan dy vite më parë.

“Ne do të rivendosim llogaritë e zotit Trump në Facebook dhe Instagram në javët e ardhshme. Megjithatë, ne po e bëjmë këtë me parmakë të rinj në vend për të penguar përsëritjen e shkeljeve,” tha Nick Clegg, president i çështjeve globale në Meta, në një postim në blog nga kompania.

Kompania pezulloi llogaritë e Trump lidhur me dyshimet për rrolin e tij në lavdërimin e njerëzve të përfshirë në dhunë në Kapitolin e SHBA-së më 6 janar 2021.

Më tej kompania tha se Trump i nënshtrohet standardeve të komunitetit si çdo përdorues tjetër i Facebook ose Instagram.

“Në dritën e shkeljeve të tij, ai tani përballet gjithashtu me dënime të larta për shkelje të përsëritura – dënime të cilat do të zbatohen për figurat e tjera publike, llogaritë e të cilëve janë rikthyer nga pezullimet që lidhen me trazirat civile sipas përditësimit të protokollit tonë”.

“Në rast se zoti Trump poston përmbajtje të tjera dhunuese, përmbajtja do të hiqet dhe ai do të pezullohet nga një muaj deri në dy vjet, në varësi të shkallës së shkeljes”, tha Clegg.

Pas njoftimit, Trump kritikoi Facebook për “deplatformim”, duke pretenduar se kompania “ka humbur miliarda dollarë në vlerë” që nga pezullimi i tij.

“Një gjë e tillë nuk duhet t’i ndodhë më kurrë një presidenti në detyrë, apo kujtdo tjetër që nuk e meriton ndëshkimin!” tha ai në platformën e tij “Truth Social”.

Nëntorin e kaluar, Elon Musk, pronari i ri i platformës së mikroblogimit Twitter, rihapi llogarinë e Trump 22 muaj pas pezullimit.

Dy vjet më parë, mbështetësit e Trump rrethuan me dhunë Kapitolin, duke kërcyer mbi barrikadat dhe duke sulmuar policinë përpara se të pushtonin ndërtesën që shumë amerikanë e shohin si bastion i demokracisë.

Kjo ishte hera e parë që Kapitoli u sulmua që nga Lufta e vitit 1812.

Trump humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 me mbi 7 milionë vota, kurse pretendimet e tij për mashtrim të gjerë të votuesve janë përballur me disa humbje ligjore. Ata u refuzuan gjithashtu nga prokurori i tij i përgjithshëm, William Barr, i cili u largua nga Departamenti i Drejtësisë në ditët e fundit të administratës pasi Trump kërkonte një mënyrë për të mbajtur pushtetin.

Pesë persona humbën jetën si pasojë e dhunës së 6 janarit 2021, ndërsa më pas katër oficerë të rendit u vetëvranë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re