Skip to content

Kompania turke dhe instituti malajzian nga industria e hapësirës ajrore nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Kompania “Industritë Turke të Hapësirës Ajrore” (TAI) ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim arsimor dhe teknik me Institutin Malajzian të Teknologjisë së Aviacionit (UniKL MIAT).

Sipas një kumtese të lëshuar nga TAI, marrëveshja e nënshkruar në Malajzi ofron kornizë të bashkëpunimit sipas së cilës dy organizatat do të punojnë në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe programet zhvillimore universitare dhe akademike.

“Bashkëpunimi do të fokusohet në programet në sfera siç janë dizajni dhe inxhinieria në fushën e hapësirës ajrore, prodhimtaria, integrimi dhe mirëmbajtja e sistemeve, riparimi i avionëve të lehtë dhe dronëve”, thuhet në njoftim.

“Partneriteti na mundëson që bashkërisht të plotësojmë kërkesën për profesionistë me kualifikime të larta në industrinë e hapësirës ajrore përderisa i ndihmojmë Malajzisë të bëhet kampion rajonal në fushën e hapësirës ajrore”, tha në deklaratë kreu i kompanisë TAI, Temel Kotil.

Dekani i institutit UniKL MIAT, Mohd Hafizi Shamsudin, shprehu mbështetje për partneritetin i cili ka për synim të krijojë një qendër ekselence industriale për dizajnim dhe inxhinieri në fushën e hapësirës ajrore, prodhimtarinë dhe integrimin e sistemit.

Më herët gjatë javës, kompania TAI dhe Universiteti Kombëtar i Hapësirës Ajrore i Ukrainës nënshkruan marrëveshje të partneritetit arsimor dhe kërkimor.