Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave për procedurat që do të ndjekin operatorët më qëllim përfitimin e kompensimit pritet të botohet ditën e sotme në Fletoren Zyrtare.

Hyrja në fuqi i hap rrugë nisjes së aplikimeve nga operatorët për kompensimin. Kërkesat dhe dokumentacioni përkatës do të dorëzohen çdo muaj pranë administratës tatimore. Afati i pranimit të kërkesave është deri më 1 Gusht 2026.

Vendimi përcakton se kompensimi do të llogaritet mbi shumën e konsumit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.

Efektet financiare llogariten në vlerën e 250,000,000 lekëve apo rreth 2.6 mln euro që do të përballohen në masën e 120,000,000 lekëve nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, (njëqind e njëzet milionë) lekë dhe 130,000,000 lekë nga buxheti i Bashkisë Tiranë.

Sipas vendimit, kërkesa për të përfituar kompensimin financiar do të bëhet nga subjekti çdo muaj pranë administratës tatimore, nën juridiksionin e së cilës ai është regjistruar, e cila bën verifikimin e dokumentacionit të paraqitur.

Subjektet kërkuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore, dokumentacionin përfshirë:

a) Kërkesën, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

b) Kopjen e licencës përkatëse të vlefshme për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;

c) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS;

ç) Emrin e bankës, ku subjekti përfitues ka llogarinë rrjedhëse bankare;

) IBAN-in e llogarisë bankare, jo më shumë se 28 karaktere dhe në monedhën lekë;

dh) Për shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të viteve 2025 dhe 2026;

e) Për shoqëritë, që përveç aktivitetit të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të viteve 2025 e 2026, duhet të paraqesin edhe: i. vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës; ii. kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë muajve mars, prill, maj të viteve 2025 e 2026, të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, sipas targave të mjeteve./Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re