BESARTA BASHA/ Kompensimi i pronarëve legjitimë në Shqipëri vazhdon të jetë një proces i stërzgjatur, i paqartë dhe shpesh i përdorur si mjet politik.

Deri më sot kemi vetëm deklarata të qeverisë, ministrit dhe Agjencisë së Pronave mbi punën e kryer në këtë aspekt. Por çfarë thonë pronarët?! Në një intervistë për gazetën, Myrshit Vorpsi, kryetar i shoqatës “Pronarë me Drejtësi” bën një pasqyrë reale të kompensimeve ndër vite, ndërkohë që ngre edhe një sërë shqetësimesh serioze mbi mënyrën sesi është menaxhuar fondi i kompensimit, numrin real të pronarëve të kompensuar dhe sa rezultative janë format e aplikuara së fundmi.

Sipas Vorpsit, pavarësisht se vlera totale e kompensimit të pronarëve arrin në mbi 116 miliardë lekë, deri tani është shlyer më pak se një e dhjeta. Ndërkohë që ky detyrim kushtetues është zvarritur, përfituesit realë duket se janë zaptuesit e pronave, të cilët përfitojnë nga legalizimet me çmime të reduktuara. Fondi që ishte parashikuar për pronarët, prej vitesh përdoret tashmë për të subvencionuar kompensimin e ndërtimeve pa leje. Ndërhyrjet e fundit ligjore, si shtyrja e afateve të vlerësimit dhe kompensimit si dhe futja e kompensimit fizik në vend të atij financiar, kanë shtuar pasigurinë dhe kaosin për pronarët. Ndërkohë, një pjesë e madhe e dosjeve as nuk janë shqyrtuar ende, duke rritur faturën e borxhit dhe duke vënë në pikëpyetje vullnetin real për përmbylljen e këtij procesi.

Sipas përllogaritjeve tuaja, sa është vlera e borxhit që qeveria u detyrohet pronarëve dhe sa ka shlyer deri më tani?

Nga 2016-a deri më sot, procesi i kompensimit të pronarëve është në shifra qesharake, diku te 10 miliardë lekë, më pak se 1/ 10 e totalit. Sipas ligjit 133/2015 për pronat, duhej që ky proces i kompensimit të mbaronte në vitin 2024, por me ndryshimet e fundit ligjore është shtyrë. Fatura e deklaruar nga qeveria dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për pronarët është 116 miliardë, por janë dhe shumë dosje të pavlerësuara akoma. Pa diskutuar pjesën tjetër që janë në procese gjyqësore. Shifra finale do jetë shumë më e madhe se sa është programuar. Dhe ne si pronarë jemi në një paradoks përballë faktit se si do realizohet. Ligjvënësi është i interesuar që këtë faturë ta ulë. Për kuriozitetin tuaj, fatura fillestare e procesit të kompensimit të pronave e deklaruar nga qeveria shqiptare në Gjykatën e Strasburgut ka qenë 6.5 miliardë euro. Ishin ndryshimet e zërit kadastral që bënë më pas, të cilat e denatyruan të gjithë procesin dhe shifra përfundoi në 116 miliardë lekë. Kjo e fundit patjetër do të rritet me faktorët që ju përmenda më sipër, por është shumë herë më pak se sa fatura që u përllogarit me hartën e çmimeve të 2016-ës. Procesi është një rrugë pa fund.

Së fundmi kemi vënë re që ATP-ja po aplikon në jo pak herë edhe kompensimin fizik, apo atë miks, që e përmban edhe kompensimin me tokë. Në optikën tuaj, si e gjykoni këtë formë kompensimi që po aplikohet?

Ligji 133/2015 kishte parasysh kompensim financiar, ndërsa tani është futur në valle edhe kompensimi fizik, që sipas meje do të krijojë një problematikë tjetër, sepse fondi i kompensimit të deklaruar deri më sot sipas ATP në raportet vjetore thuajse nuk ekziston fare. Ishte një sipërfaqe 23 mijë ha tokë bujqësore, e cila përveç faktit që ndodhej në katër zonat më malore të Shqipërisë, ndahej në 24 mijë parcela, ku 70% nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën, me sipërfaqe mesatare prej 7 dynym. Pa drojë, mund të them që i gjithë procesi është i dështuar, sepse faktet kanë reaguar që këto sipërfaqe toke janë ndarë me AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) pavarësisht se janë deklaruar në favor të Agjencisë, ose kanë ndërruar destinacion. Fondi është marrë në dorëzim, vetëm 360 pasuri nga agjencia, sipas legjislacionit të miratuar për këtë qëllim. Ndërkohë që fondi i pyjeve 70 mijë ha nuk dihet se ku është. Fondi ka firuar rrugës, pasi është vetëm 50 mijë ha. Jemi në një proces me shumë të panjohura dhe nuk dihet akoma se ku do të përfundojë. Duhet me patjetër që fondi i tokave të jetë i identifikuar dhe të merret në dorëzim nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Për ta përmbyllur si proces nuk mjafton vetëm dalja e vendimit të Këshillit të Ministrave, por nevojitet që ATP t’i verifikojë dhe t’i vlerësojë nëse shërbejnë për qëllim kompensimi.

Në lidhje me vlerësimin e pronave, ka një afat 3-vjeçar. Mendoni se Agjencia do ta përmbyllë në kohë kësaj here?

Jemi në situatë të paqartë nga ky vendim për shtyrje afati, që ishte i pritshëm në fakt. E madje, mendoj që as ky nuk mjafton. Qeveria do të kërkojë një shtyrje tjetër të afatit në të ardhmen me 10 vjet. Nëse do të kishte vullnetin për ta çuar deri në fund, procesi duhet të ishte përfunduar. Por ky afat 3-vjeçar nuk do të mjaftojë. E sigurt që do të zvarritet, sepse interesat janë të tjera.

Ku e bazoni këtë që thoni?

Faktet kanë treguar që ligji 7501 dhe legalizimet kanë shërbyer si kalë beteje në fushata elektorale. Me një VKM të vitit të kaluar, qeveria mori përsipër të identifikonte të gjithë tokat e patrajtuara me ligjin 7501 që figuronin me titullin shtet, të identifikoheshin edhe poseduesit e këtyre, me qëllim që t’iu jepeshin poseduesve të këtyre parcelave. Fondi i tokave figuron vetëm në letër, sepse në terren nuk ka kufij, pasi janë zaptuar apo përdorur nga persona të tjerë. Vendimi i qeverisë këtë synonte. Me një vendim qeverie është ngritur një grup pune që nga shtator–tetori i vitit 2024 dhe deri më tani do të ishin identifikuar të gjitha pasuritë. Më 2024, bashkitë merrnin përsipër të bëheshin ndërmjetës për legalizimet dhe kjo bëhej në pragun e fushatës elektorale. Bashkitë do të shkonin te ata që kishin bërë vetëdeklarim dhe të çonin përpara procesin e legalizimit, por nuk dihet çfarë ka ndodhur. Argumenti tjetër qëndron në faktin që procesi i legalizimit do të hapë një gropë të thellë në buxhetin e shtetit, për të cilin ai është i papërgatitur. Për shpronësimin e pronarëve për efekt legalizimi, VKM daton që në vitin 2006. Deri në fundin e vitit 2024 kanë dalë 82 vendime të tilla, që në finale kanë marrë përsipër të shpronësojnë një sipërfaqe toke nga pronarët legjitimë në favor të poseduesve, rreth 423 hektarë që në total, është vlerësuar rreth 40 miliardë lekë. Sipas ligjit të parë të legalizimeve, brenda 6 muajve nga dalja e VKM-së, pronarët duhet të merrnin paratë. Pastaj qeveritë përkatëse e ndryshuan këtë formulë. Sot jemi përballë faktit që shteti nuk ka asnjë detyrim ligjor se kur do të kompensohen pronarët, pasi del vendimi.

Në praktikë, çfarë ka ndodhur? A i kanë marrë paratë pronarët?

Të gjithë ata që i kanë marrë paratë kanë marrë vetëm 70% të shumës, 30% kanë ngelur të papaguar dhe ende se dinë për ç’arsye. Shifra e pretenduar nga ministri ka qenë më tepër një asgjë, sepse ATP-ja s’ka pasur fond për këtë proces për një arsye të thjeshtë fare. Sot kemi gati 8 vjet që është bashkuar me atë fond që miraton buxheti i shtetit çdo vit (3 miliardë lekë) edhe kompensimi i pronarëve të prekur nga ndërtimet informale. Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë. Sot nuk paguajnë ata që kanë zaptuar, por taksapaguesit shqiptarë.

Në dijeninë time, formula që përdoret në këto raste është ajo e transferimit të fondeve për legalizimin e këtyre pasurive të zaptuara nga Kadastra te ATP-ja në favor të kompensimit të pronarëve legalë…

Po, por ajo çfarë paguajnë zaptuesit nuk mjafton. Me ligj, zaptuesit e paguajnë tokën që marrin me çmime preferenciale, ato janë 50% të çmimeve sipas hartës së vlerësimit tokave, pra një pjesë me lekë dhe tjetra me letra me vlerë. Në totalin e vet paguajnë vetëm gjysmën e vlerës së pronës që kanë zaptuar. Pra, tarifa e pagesës që do kenë zaptuesit e tokave të pronarëve sipas formulës së miratuar nga qeveria është minimale. Për shembull, në një zonë kadastrale me 300 mijë lekë për m2 , poseduesit paguajnë 100 mijë (të vjetra), pjesën tjetër e gjen buxheti i shtetit. Në rastin konkret merren nga fondi i kompensimit të pronarëve.

Duke qenë se po flasim për ndërtimet pa leje në tokat e pronarëve, a keni ju një shifër apo jeni në dijeni të numrit të tyre?

Me VKM, fondi i miratuar për 82 vendimet e zbardhura është 40 miliardë lekë të reja. Sot janë paguar vetëm 8 miliardë. Asnjëri sot nuk e di sa është ky numër të objekteve të deklaruara për procesin e legalizimit. Në mënyrë frekuente, nga viti 2006 kur doli ligji i parë për legalizimin deri sot është interesuar që rregullisht të shtyhet afati i vetëdeklarimit. Nëse më 2006-ën ligji parashikonte që nuk do kishte një shtyrje tjetër të afatit, që ka qenë për një periudhë 1-vjeçare, nga data e daljes së ligjit për legalizimet është shtyrë afati i vetëdeklarimit plot 10 herë. Shtyrja më e fundit me ligjin 20/20 parashikon të përfundojë në 2028-ën, kur mbaron afati i ligjit. Jemi në një paradoks që asnjëri nuk mund ta shpjegojë dhe çfarë përgjigje t’i japë. Zaptimi i tokës me Kodin Penal është vepër penale, e cila dënohet me 1 deri në 3 vjet burg, pa diskutuar që vepër penale quhet dhe ndërtimi pa leje. Ligjvënësit shqiptarë në vend që këtë gangrenë të ndërtimeve pa leje ta mbyllte një herë e mirë, për arsye elektorale është interesuar që këtë afat të vetëdeklarimit ta shtyjë deri në 2028-ën, nga 2006 kur parashikonte të ishte viti kur procesi i legalizimit të merrte fund. Megjithëse ndërtime pa leje mund të ketë në gjithë botën, ligj që të legalizojë ndërtimet pa leje vetëm Shqipëria ka. Në tokën e vet, se në tokën e tjetrit nuk bëhet fjalë.

Në deklaratat e saj, qeveria shprehet se ka gjetur një numër minimal banesash të legalizuara, teksa ajo e ka çuar në 200 mijë. Nga kjo shifër nuk keni bërë ca kalkulime mbi atë çfarë u detyrohet shteti pronarëve legjitimë?

Shifra më 2014-ën është deklaruar tjetër për ndërtimet pa leje, 350 mijë ndërtime pa leje. Sot asnjëri nuk e di, me përjashtim të kryeministrit që thotë se kemi legalizuar rreth 200 mijë të tilla. Me ligjin e parë, sipërfaqja e tokës me ndërtim pa leje shkonte rreth 300 mijë. Shteti sot megjithëse ASHK i ka të dhënat e plota, asnjëherë nuk deklaron se sa është numri i atyre që kanë bërë një ndërtim pa leje, aplikim për legalizim, çfarë sipërfaqe toke kanë kërkuar të legalizohet. Së dyti, nëse sipërfaqja ka qenë e tyre apo e dikujt tjetër. Thuhej që në procesin e legalizimit 1/3 janë në tokën e vet, 1/3 në tokë shteti, 1/3 ndërtime pa leje në tokën e një pronari tjetër. Në total janë 350 mijë ndërtime pa leje. Po të marrim një shifër, 300 mijë ndërtim pa leje, sipërfaqja e përgjithshme për këto shkon diku rreth 12 mijë ha tokë. Nëse do i rrimë parimit 1/3, i bie që rreth 4 mijë ha tokë të jetë sipërfaqja që do t’u dëmshpërblehet pronarëve. Vendimet e qeverisë kanë dalë vetëm për 420 ha tokë me 82 vendime prej 40 miliardësh.

Sipas jush, vendimet e dala, a kanë qenë në favor të pronarëve me qëllim mbylljen e hesapeve me ta?

Me ligjin e parë, ai që kishte përfituar tokë me procesin e legalizimit nuk merrte certifikatën e pronësisë, pa dalë vendimi i qeverisë që dëmshpërblen pronarët. Kurse tani, legjislatori ka vendosur që leja t’i jepet atij, pavarësisht nëse del apo jo vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimin. Ajo shifra 400 ha, nëse do pranojnë shifrën e ndërtimeve pa leje që ka deklaruar kryeministri gjatë fushatës elektorale, po t’i rrimë parimit të 1/3-ës, do të thotë që rreth 60 e sa mijë ndërtime pa leje janë ndërtuar në tokat e pronarëve. Po të konsiderojmë edhe sipërfaqen e ndërtimeve pa leje, kjo sipërfaqe duhet të kishte dalë me VKM për shpronësimin e pronarëve. Shteti është i interesuar gjatë gjithë kohës për një gjë, ta bëjë procesin e legalizimit se ka qenë një hambar votash, por të mos pranojë në asnjë moment që skema e kompensimit të pronarëve është e dështuar. Në buxhetin e shtetit do të ketë një gropë të madhe si rezultat i kësaj. Kanë gjetur një metodë. Falë ligjit të miratuar në kohën e qeverisë “Berisha”, shteti nuk ka një afat se kur do i japë këto para për pronarët. Ligji parashikon që do të ndajë sa para të ketë, kur t’i ketë dhe në këste të barabarta. Jemi përballë atyre që do t’i quaja “katastrofa financiare”.

Doja të cekja edhe një formë tjetër kompensimi, i cili është cilësuar “kompensim i veçantë”, që s’është veçse kompensim jashtë radhe në vlera minimaliste. Nuk janë pak ata që e kanë pranuar si formë, ndërkohë që shumë pronarë kanë ndërruar jetë pa shijuar një ditë të vetme pronën e tyre apo kompensimin real…

Janë 116 miliardë lekë që shteti duhet t’ua kishte dhënë pronarëve dhe s’dihet kur do t’ua japë. Këtë skemë që përmendët do ta paralelizojë me një situatë: si ajo e borxhliut të vjetër që nuk shlyen borxhin dhe një ditë vjen të thotë po deshe ta mbyllim me 20%. Kjo është t’u bësh presion pronarëve, shtetasve të vet për detyrimin që iu ka atyre. Ka pesë vite, nga 2021-shi e këtej që është hequr nga qarkullimi “kompensimi i thjeshtë”. ATP-ja ka bërë vetëm kompensim me procedurë të përshpejtuar. Për të këtë skemë të pafytyrë mjafton të përmendim fjalinë që ATP-ja në njoftimet për kompensime të veçanta citon se me vendimin e marrë i ka kursyer buxhetit të shtetit miliarda lekë, ndërkohë që pronarëve iu jep cikërrima.

Përveç dosjeve për të cilat ka aplikime apo vendime, një numër i konsiderueshëm janë edhe dosjet e patrajtuara. Çfarë do bëhet me to?

Dosjet e patrajtuara janë ato që janë depozituar bashkë me praktikën e plotë që nga 2013-a dhe për ta s’ka ende vendimmarrje. Shifra e vlerësimit të tyre do e ngrinte shumë faturën, pasi figurojnë 144 mijë hektarë tokë bujqësore e pyje për të cilat nuk ka një vendimmarrje. Me pak fjalë, Agjencia është e papërgatitur për trajtimin e tyre, si të përmbylljen e kompensimit të pronarëve që janë tashmë në proces./Gazeta Panorama 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko