Komisioni Evropian mbrojti kryediplomatin e BE-së Josep Borrell për vizitën në Rusi javën e kaluar, kur Kremlini dëboi tre diplomatë evropianë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE Josep Borrell tha se ai mësoi për dëbimet e diplomatëve në mediat sociale ndërsa fliste me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Moskë të premten, raporton Reuters.

Borrell shkroi në një blog të dielën mbrëma se lutjet e tij për Rusinë që të ndalonte dëbimin ishin injoruar.

Thirrjet për dorëheqjen e Borrell

Ish-shefi i mbrojtjes estoneze dhe eurodeputeti aktual Riho Terras ka nisur një fushatë duke kërkuar dorëheqjen e Borrell-it.

Komisioni Evropian ka thënë se nuk pendohet që Borrell shkoi në vizitën e tij të parë në Rusi si koordinator i politikës së jashtme të BE, pasi Rusia ishte në rrugën e saj për një konfrontim që Borrell u përpoq të shmangte.

“Udhëtimi ishte i domosdoshëm. Nga udhëtimi nuk hiqet dorë sepse duket i vështirë,” tha zëdhënësi i KE Eric Mamer në Bruksel.

“Udhëtimi nuk është një sukses ose një dështim i bazuar në atë që po ndodh në një moment të veçantë,” shtoi Mamer.

Borrell do t’i drejtohet Parlamentit Evropian të martën, duke bërë thirrje për sanksione për të ndaluar ndërtimin e tubacionit të gazit Nord Stream 2 midis Rusisë dhe Gjermanisë.

Lavrov: Brukseli, fajtor për kolapsin e marrëdhënieve

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të hënën se zyrtarët rusë “nuk ishin iniciatorët e një kolapsi në marrëdhënie”.

Ai tha se dëbimi i diplomatëve nga Gjermania, Suedia dhe Polonia u bë një ditë para udhëtimit të Borrell-it.

Moska ka akuzuar diplomatët e dëbuar evropianë për pjesëmarrje në protesta në mbështetje të kritikut të burgosur të Kremlinit Alexei Navalny.

“Brukseli është fajtor për kolapsin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe BE,” janë fjalët që  Lavrov i përcolli Borrell-it, raporton Tass.

Lavrov tha në një deklaratë se gjatë bisedimeve me Borrell-in në Moskë, ai foli për rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve midis Rusisë dhe BE mbi një bazë sistemike.

“Mbaj mend që në 2014, Unioni shkatërroi arkitekturën e marrëdhënieve gjithëpërfshirëse me vendin tonë, e cila ishte ndërtuar me përpikmëri gjatë viteve,” vuri në dukje kryediplomati rus.

BE, thirrje për sanksione të reja kundër Moskës

Disa anëtarë të BE tani po kërkojnë sanksione të reja kundër Moskës, zbuluan dy diplomatë.

Polonia zhvilloi një thirrje video me anëtarët e BE të hënën, të bashkuar me përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Ukrainë, si dhe aleatët e Navalny-t – Vladimir Ashurkov dhe Leonid Volkov.

Takimi zgjati dy orë dhe tema ishte politika ndaj Rusisë, përfshirë sanksionet.

Në një konferencë të përbashkët shtypi të Lavrov-it dhe Borrell-it të premten, i pari tha se Rusia e konsideron BE-në një “partner jo të besueshëm”.

Borrell udhëtoi në Moskë për të kërkuar lirimin e Navalny-it dhe për t’u përpjekur të rivendoste marrëdhëniet BE-Rusi.

Por ai shkroi të dielën se konferenca për shtyp e së premtes ishte “organizuar në mënyrë agresive” dhe se udhëtimi ishte “shumë i komplikuar”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re