Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rustemi tha se katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës kishin disa muaj pa kryetarë, ndaj ishte e nevojshme që kryetarët e rinj të hynin në zyrat e tyre për t’u shërbyer qytetarëve. Ai tha ishte vetë Lista Serbe që refuzoi të merrte pjesë në zgjedhje ndërkohë që tani kërkon që të pengojë kryetarët e sapozgjedhur të bëjnë detyrën e tyre.

“Nuk është hera e parë që presidenti serb dhe kryeministrja bëjnë cilësime të tilla, për gjatë këtij vitit ka pasur disa raste ka bërë cilësime të pasakta të gjendjes dhe ka marrë vendime për dislokime të ushtrisë. Asnjë e pazakontë nuk po ndodh. Thjesht pas zgjedhjeve lokale, certifikimit të rezultateve kryetarët e porsazgjedhur kanë dhënë betimin dhe kanë dalë ne vendet e tyre të punës. Këto katër bashki kanë më shumë se 6 muaj pa kryetarë. Qytetarët janë pa shërbime të përditshme nga komuna.

Prandaj pas dhënies së betimit, ishte gjëja më normale që kryetarët do të dalin në vendin e tyre të punës. S’e kuptoj se çfarë kanë pritur të tjerët kur kanë parë se po bëhen zgjedhjet. Zgjedhjet ishin krijuar pas largimit të kryetarëve të mëparshmë nga Lista Serbe. Madje ishin shtyrë për disa muaj me kërkesë të ndërkombëtarëve madje u pranuan nga bashkësia ndërkombëtare.”, tha ai.

I pyetur nga gazetarja Viol Xhafaj për reagimin e ashpër ndërkombëtar lidhur me tensionet në veri, deputeti tha se qeveria e Kosovës, në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, shtyu zgjedhjet dhe se ishin ata që pranuan procesin zgjedhor. Ai tha se nuk mund t’i kërkohet Kosovës që të pezullojë ligjin.

“Ne i kuptojmë shqetësimet e miqve ndërkombëtarë. Në koordimin të plotë me bashkësinë ndërkombëtare u shtynë zgjedhjet në kërkesë të tyre për disa muaj. Kishim një dakordim me Beogradin zyrtar për normalizimin e mardhënieve dhe pas arritjes së marrëveshjes. Lista Serbe kishte kohë të merrte pjesë në zgjedhje. Është e pakuptimtë që në njërën anë Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhje dhe në anën tjetër pengon kryetarët e zgjedhur të përmbushin funksionet. Kosova nuk ka synuar asnjëherë që kryetarët e këtyre bashkive të jenë shqiptar. As nuk certifikohen, as nuk marrin pjesë në zgjedhje dhe ndërkohë duan ta mbajnë këtë zonë pa kryetarë bashkie.

Kryetarët e komunave duhet të fillonin punën e tyre dhe policia ka detyrën zyrtare të asistojë tek zyrtarët publikë kur një gjë e tillë kërkohet për të filluar punën. Këto objekte ishin blinduar nga grupet kriminale dhe huliganët serbë dhe domosdo që policia duhet të asistonte. Kuptohet shqetësimi i partnerëve ndërkombëtare, mbase i ndërlidhur me zhvillimet gjeopolitike përtej Kosovës, mund të jetë një shqetësim që e kemi parasysh por nuik mund t’i kërkohet pezullimi i sundimit të ligjit se është kërkesë e Beogradit. “, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re