Qeveria në Gaza tha se bashkësia ndërkombëtare është përgjegjëse për vazhdimin e krimeve të luftës në Rripin e Gazës, ku Izraeli filloi të sulmojë sërish pas përfundimit të “pauzës humanitare”.

Zyra për media e qeverisë në Gaza në një deklaratë në llogarinë e saj në Telegram tha: “Ushtria okupatore izraelite ka filluar luftën e saj brutale kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës”.

Në deklaratë thuhet se ushtria izraelite shënjestroi shumë shtëpi dhe zona civile në Rripin e Gazës. “Komuniteti ndërkombëtar mban përgjegjësi për vazhdimin e luftës së Izraelit kundër Rripit të Gazës”, thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-ja, presidenti amerikan Joe Biden dhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken janë përgjegjës për “krimet e okupimit izraelit dhe luftën e tij brutale kundër civilëve, fëmijëve dhe grave në Gaza”.

Duke theksuar se janë shkelur ligji i luftës dhe ligji ndërkombëtar humanitar, qeveria në Gaza deklaroi se bashkësia ndërkombëtare i dha Izraelit ‘dritën e gjelbër’ për të vazhduar sulmet në Rripin e Gazës.

“Populli palestinez ka të drejtë të mbrohet në çdo mënyrë, të fitojë lirinë dhe pavarësinë e tij, të krijojë një shtet palestinez me Kudsin si kryeqytet në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe të pastrojë plotësisht tokat e tij nga okupimi”, thuhet në deklaratë.

Pauza humanitare përfundoi mëngjesin e sotëm, e cila hyri në fuqi në orën 08:00 të premten, më 24 nëntor, në kuadër të marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit.

Pas përfundimit të pauzës humanitare, ushtria izraelite rifilloi sulmet në Rripin e Gazës.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re