Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë ka ndërmarrë projektin ‘Pyet gjyshërit’, duke patur në fokus ndërgjegjësimin e brezit të ri për të njohur të shkuarën komuniste dhe të nxjerrë mësime prej saj.

Drejtoresha e IDCM-së, Jonila Godole tregon për ‘Panorama’ se të rinjtë nuk mund t’i konceptojnë pasojat e atij sistemi, ndërsa për këtë situatë, sipas saj, përgjegjëse janë edhe kurrikulat mësimore.

“Në tekstet shkollore jo vetëm që mungojnë, por në ato pak faqe tekst në vend që të flitet për krimet e komunizmit, flitet më shumë për investimet që janë bërë.

Kjo është shumë shqetësuese dhe prindërit duhet të reagojnë. Vendet e tjera të Europës Lindore jo vetëm i  kanë ndërruar rrënjësisht kurrikulat, por kanë hapur dosjet që pas rënies së sistemit dhe disa prej përgjegjësve i kanë çuar në gjyq.

Ndërsa ne kemi ende libra shkollorë që i bëjnë reklamë një sistemi gjakatar. Kjo ndodh nuk se nuk ka vullnet politik, ose se personat që merren me kurrikulat janë të paaftë. Vullneti politik është një akt moral, shteti dhe shoqëria duhet të mbajë një qëndrim moral ndaj ish të përndjekurve politikë e ta zgjidhë dilemën një herë e mirë dhe jo t’i sorollasë duke shpikur mekanizma për t’i paguar sa më pak”, shprehet pedagogia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re