Nga Roald A. HYSA
Nevoja jonë për kujtesën historike është kthyer në një domosdoshmëri tashmë pas 34 vitesh demokraci, kur edhe shkëputja e brezave njëri pas tjetrit të largon në kohë dhe në ruajtjen e asaj kujtese, të cilën regjimi 50-vjeçar komunist e luftoi që ta zhdukte. Nisma për një Muze të Trashëgimisë Islame është një përpjekje për të rilidhur hallkat e një zinxhiri të thyer tashmë nga një e kaluar 80-vjeçare, e cila është e dominuar nga ruajtja e një trashëgimie që na vjen nga periudha e errët e komunizmit, e cila me të gjitha mjetet mori përsipër të shuante memorien kolektive dhe një të kaluar 500-vjeçare të dominuar nga e kaluara osmano-turke. Reformat e pas 1945 nisën me mënyrën e jetesës dhe të veshjes, duke i ndryshuar ato thelbësisht. Një nga vërejtjet e bëra nga disidenti Havzi Nela asokohe ishte edhe ndryshimi i veshjes tradicionale të grave dhe të burrave njëkohësisht. Enver Hoxha vërente se, duhen ruajtur kostumet popullore, porse tumanet e grave çame i shihte si veshje të turkut që duheshin zhdukur dhe kjo mënyrë mendimi u reflektua edhe në studimet etnologjike, ku veshjet muslimane u etiketuan si të pushtuesit, të turkut e për pasojë duheshin zhdukur nga jeta e përditshme (këtu hyn edhe perçja dhe çarçafi i mbulesës së gruas).
Kjo fushatë modernizimi zhduku nga qarkullimi shumë tradita dhe sendet që i përkisnin asaj kohe, të cilat për shkak se ishin me ndikim turko-osman e humbën vlerën e tyre kundrejt prodhimeve të reja industriale. Gjithashtu vëmendja e studimeve zyrtare u kthye te Skënderbeu, parmendat, shtëpitë karakteristike fshatare dhe më pak në jetën qytetare dhe organizimet esnafore.
E shkuara jonë islame në libra u pa qartë se u kthye në një gjueti shtrigash në vitin e largët 1967, ku shumë hoxhallarëve dhe shejlerëve iu konfiskuan bibliotekat e tyre të pasura me libra në osmanisht, persisht, arabisht dhe shqip me alfabet arab. Të paktën 28 biblioteka të mëdha nga hoxhallarë të shquar u morën dhe u shkatërruan. Shumë libra fetarë u dogjën në kaldajat e kombinatit të drurit Misto Mame në Tiranë, si dhe biblioteka e pasur e Medresesë së Tiranës u shkatërrua publikisht.
Kështu që përpjekja e një grupi studiuesish dhe dashamirësish që duan të ruajnë kujtesën tonë muslimane në një muze është një përpjekje për t’u lavdëruar dhe për t’u përkrahur. Muzeumet mund të jenë dy llojesh, private dhe shtetërore, dhe që të dyja këto kërkojnë specifikat e veta për t’u bërë realitet. Më së pari kërkojnë godina të përshtatshme dhe më pas kërkojnë investime edhe njerëzore për mirëmbajtjen e tyre. Në kulturën tonë akoma nuk ka zënë vend mecenatizmi i projekteve të tilla të mëdha, prandaj edhe vështirësia e Konakut për Muzeun Islam është edhe më e madhe.
Ne duhet të gëzohemi, që një projekt i tillë të kurorëzohet me sukses, ashtu siç mund të hidhërohemi se shkëputja e madhe 80-vjeçare dhe komunizmi me shkatërrimin e tij sistematik e ka kthyer terrenin shqiptar në një tabula rasa, duke e fshirë këtë trashëgimi mendore e shpirtërore. Prandaj edhe i urojmë suksese grupit të Konaku-t, që ka marrë përsipër ta nxjerri në dritë një muze të tillë.



