Në vigjilje të Krishtlindjes një koncert acapella u vu në skenë për të dytin vit në Teatrin “Andon Zako Çajupi”, në Korçë nga kompozitori kosovar Trimor Dhomi.

Përmes dirigjimit të tij, nën tingujt e muzikës së zërave të vjetër të Korit Lira së bashku me disa të rinj u përcollën një pjesë e këngëve më të njohura.

“I gjithë materiali i ri sivjet ka qenë shumë i vështirë dhe profesionist, shumica në kor nuk lexojnë nota, kënga e fundit u bë me një përpunim siç e patë, origjinal. Kjo ishte sfida me e madhe e Korit, por më duket se ja dolën. Për të bërë një rrugë për qejf vjen, por për të ardhur për secilin prej tyre është inspiruese. Artistikisht ka qenë një nga më të vështirët”, tha Dhomi.

Organizatorët e këtij koncerti synojnë që nëpërmjet përfshirjes së të rinjve në të tilla organizime, të përcillet dhe të ruhet muzika autoktone ndër breza.

“Kënaqësi për qytetin e Korçës, për vajzat e korit që ishin të mrekullueshëm ajo që është më e bukur është se kjo po bëhet traditë. Deri sa po ngrihet kori, duhet të zhvillohet dhe shkolla. Korça ka nevojë. Ka zëra por duhet shkollimi i tyre. E kemi të domosdoshme. Nuk e di çfarë projekte kanë, por ne e kemi detyrim, ajo shkolle ka nxjerrë muzikantë të mirë por vitet e fundit ka rënë në cilësi. Kjo do ripërtëritje vlerat”, u shpreh këngëtari Tomi Kondakçi.

Këngëtarja e re Flavia Zere nuk e ka fshehur emocionin e të qenit pjesë e koncerti teksa e cilëson si një nisje të rrugëtimit të saj artistik.

“Ishte hera ime e pakët që unë dal në skenë me diçka të tillë, pasi kam me tepër qejf muzikën e lehtë, jazz, blues, por ishte diçka ndryshe. E mora atë që doja dhe profesor Trimori na dha diçka që ne nuk e dinim, një eksperiencë komplet tjetër”, tha Flavia.

Koncerti mbushi sallën e teatrit “Andon Zako Çajupi” jo vetëm me artdashës shqiptar, por edhe me shumë turistë që kanë zgjedhur Korçën si destinacion për festa. /

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re