Koncesioni për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës po shkon drejt një përplasjeje të re ligjore. Shoqëria Vlora International Airport (VIA) pritet t’i drejtohet Arbitrazhit të Londrës, duke kërkuar pezullimin e procedurës së nisur nga qeveria shqiptare për zgjidhjen e kontratës. Kërkesa e VIA-s nuk synon në këtë fazë marrjen e një dëmshpërblimi, por bllokimin e zgjidhjes së kontratës, përmes një mase sigurie. Nëse kërkesa pranohet, procedura e ndërprerjes së koncesionit do të mund të pezullohej deri në shqyrtimin e mëtejshëm të mosmarrëveshjes.
Para se ta çonte çështjen në arbitrazh, VIA aktivizoi mekanizmin e parashikuar në nenin 21 të kontratës koncesionare. Kompania kërkoi që mosmarrëveshja me Ministrinë e Infrastrukturës të trajtohej përmes konsultimeve dhe negociatave mes palëve. Qeveria nuk e pranoi këtë qasje dhe argumentoi se situata nuk përbënte një mosmarrëveshje kontraktore të zgjidhshme përmes këtij mekanizmi. Sipas palës shqiptare, pretendimet e koncesionarit binin ndesh me detyrimet e kontratës, raportimet zyrtare dhe të dhënat e administruara gjatë zbatimit të projektit.
Pak më pas, Ministria e Infrastrukturës njoftoi zyrtarisht nisjen e procedurës për zgjidhjen e kontratës së koncesionit, duke iu referuar mospërmbushjes së afateve për përfundimin e aeroportit.
Në sfondin e përplasjes me qeverinë qëndron edhe konflikti i gjatë mes aksionerëve të koncesionit. Mosmarrëveshjet mes MABCO-s, të lidhur me biznesmenin Behgjet Pacolli, dhe 2A Group kanë përfunduar në procese gjyqësore dhe kanë ndikuar në vijimin e punimeve. Qeveria kishte kërkuar më herët që palët të zgjidhnin konfliktet mes tyre në mënyrë që projekti të mund të vijonte. Megjithatë, mosmarrëveshja nuk u zgjidh dhe punimet mbetën të pezulluara.
Nga ana tjetër, MABCO ka paralajmëruar një tjetër proces arbitrazhi, këtë herë me synimin për të kërkuar dëmshpërblim nga shteti shqiptar në rast të zgjidhjes së kontratës. Behgjet Pacolli ka deklaruar publikisht se preferon një zgjidhje përmes dialogut, por ka kundërshtuar mënyrën se si institucionet kanë vepruar ndaj investimit.
Dy beteja të mundshme në arbitrazh
Nëse VIA e formalizon kërkesën e saj, çështja e Aeroportit të Vlorës mund të përballet me dy procese të ndryshme: njëri për pezullimin e zgjidhjes së kontratës, i kërkuar nga VIA, dhe një tjetër potencialisht për dëmshpërblim, i paralajmëruar nga MABCO. Kështu, konflikti për aeroportin nuk mbetet më vetëm një çështje mes qeverisë dhe koncesionarit. Përplasja është shtrirë edhe në gjykata dhe tashmë rrezikon të kalojë në një proces ndërkombëtar arbitrazhi, me pasoja të mundshme financiare dhe juridike për të gjitha palët.
