Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor për 4 kontratat koncesionare në fushën e shëndetësisë.

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji dhe deputetja Albana Vokshi dorëzuan sot kërkesën duke iu referuar auditimeve të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe hetimet e SPAK, ët cilat kanë treguar shkelje.

Sipas tyre, këto shkelje, “ngrihen deri në nivelin e përgjegjësisë penale, si në fazën e përzgjedhjes dhe shpalljes së fituesit, ashtu edhe gjatë zbatimit të këtyre kontratave.”

Pikërisht, me qëllim shqyrtimin e këtyre praktikave, si dhe vlerësimin e marrjes së masave të nevojshme, përfshirë ndërhyrjet ligjore, deputetët kanë nënshkruar kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për Kontratat Publike në Sektorin e Shëndetësisë.

Akuzat për abuzim në 4 kontratat koncesionare:

Në datën 10.04.2019, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nënshkruar një Kontratë partneriteti publik-privat për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësore, me konsorciumin “Laboratory Netëorks” sh.p.k., i cili përbëhet nga shoqëritë “Labofarma” sh.p.k., “AB Laboratory Solution B.V”, dhe “EXALAB”. Kjo kontratë do të ketë një kohëzgjatje 10-vjecare nga data e komisionit të objektit të fundit laboratorik dhe përllogaritet të ketë kosto totale rreth 114 milionë dollarë.

Në datën 10.02.2016, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “DiaVita” sh.p.k., kanë nënshkruar kontratën e koncesionit për shërbimin e hemodializës. Kjo kontratë do të ketë një afat 10-vjecar dhe përllogaritet me një kosto totale prej 70 milionë euro. Historiku i kompanisë fituese të këtij koncesioni ngriti mjaft dyshime, duke qenë se jo vetëm nuk kishte asnjë eksperiencë në sektorin shëndetësor, me një kapital minimal prej 100 mijë lekësh, por pronarët e saj të vetmen eksperiencë në biznes kishin menaxhimin e një bar kafe modeste në qytetin e Beratit. Të dhënat e publikuara më pas në media do të zbulonin se pas kësaj kontrate qëndronte pronari i Spitalit Amerikan, biznesmeni Klodian Allajbeu, i cili nëpërmjet një kompanie të regjistruar në Hollandë do të bëhej edhe pronar përfitues i kësaj kontrate koncesionare.

Në datën 10.12.2015, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “SaniService” sh.p.k., nënshkruan kontratën për ofrimin e shërbimeve të integruara të furnizimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale sterile, furnizimin me material mjekësor steril një përdorimsh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale. Kjo kontratë do të ketë një kohëzgjatje 10-vjecare dhe përllogaritet me një kosto totale rreth 100 milionë euro. Deri më tani rezulton që për këtë kontratë të jenë paguar rreth 8 miliardë lekë ose 76 milionë euro.

Në datën 07.01.2015, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “3P Life Logistic” sh.p.k., nënshkruan kontratën për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40 – 65 vjec. Kjo kontratë do të ketë një kohëzgjatje 10-vjecare dhe përllogaritet me një kosto totale rreth 120 milionë euro. Deri më sot rezulton që për këtë kontratë të jenë paguar rreth 60 milionë euro.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re