Ish-ministri Ilir Beqaj ka folur për mediat pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme ku iu komunikua akuza për shpërdorim detyre pas përfundimit të hetimeve për koncesionin e sterilizimit.

Beqaj u shpreh se me koncesionin e sterilizinit janë kursyer para dhe se ky ka qenë një proces përfitimi për xhepat e shqiptarëve, duke shtuar se kjo nuk është hetuar nga SPAK.

Por theksoi se “të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë, ku besoj do të dalë e vërteta”.

Ilir Beqaj: U komunikua përfundimi i hetimeve dhe marrja si të pandehur për shpërdorim detyre. Në 50 muaj nuk ia doli të hetojë 2 elementë kryesorë që ka një proces sterilizimi, në uljen e ditëqëndrimi që ka një pacient  në spital dhe uljen e ditëve të përdorimit të antibiotikëve në spital, nëse do të kishin bërë këtë vlerësim, atëherë konvertimi i këtyre kursimeve në para do ta nxjerrë një proces në përfitim për xhepat e qytetarëve. Nuk mori mundimin të hetojë se pse nga prilli 2010 deri në shtator 2023 centrali i sterilizimit i blerë u mbajt në qese ndërkohë që ISHP kërkoi mbylljen e sallës së kirurgjisë.

Keni bërë ju hetim administrativ?

Ilir Beqaj: Unë e vura në punë dhe që nga fillimi i kontratës 445 mijë shqiptarë janë operuar në kushte të sigurta. Në 50 muaj prokurorët nuk ishin në gjendje të bëjnë dy vlerësime që bëhet për çdo PPP, vlera e parasë dhe se si është materializuar ndarja e riskut midis privatit e publikut mbas 8 vitesh.

Pse ia dhanë konsesionarit?

Ilir Beqaj: (Nuk i përgjigjet pyetjes së gazetares Klodiana Lala) Unë të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë, ku besoj do të dalë e vërteta e përfitimeve që kanë pasur shqiptarët nga ky proces sterilizimi.

Çfarë është kontrata e sterilizimit

Kontrata u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Paketën më të madhe të aksioneve në këtë koncesion e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Sipas të dhënave të publikuar nga BIRN pak kohë më parë rezulton se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Elektrobisturia është pjesë e njërit prej seteve kirurgjikale, që kompania koncesionare “SaniService” i shet Ministrisë së Shëndetësisë për çmime që variojnë nga 16 mijë lekë deri në 45 mijë lekë (me TVSH) për çdo ndërhyrje.

Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale ka shënuar rritje të ndjeshme të kostove të parashikuara.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re